Gazetarja Sonila Meço ka reaguar pas shfaqjes së pamjeve ku ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, shihet i penguar të takojë vëllanë dhe motrën në Kosovë, pa autorizimin e Dhomave të Specializuara në Hagë.
Në një postim të gjatë, Meço e cilëson si të dhimbshme këtë situatë, por thekson se, përtej emocioneve, duhet analizuar edhe përgjegjësia politike për krijimin e Gjykatës Speciale.
Të lidhura
None found
Ajo kujton se Dhomat e Specializuara u votuan nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015 dhe kritikon politikanët që e mbështetën këtë model drejtësie, pa siguruar, sipas saj, garanci të mjaftueshme para miratimit të tij.
Meço kritikon gjithashtu reformën në drejtësi në Shqipëri, duke përmendur përgjegjësinë e kryeministrit Edi Rama, të Gjykatës Kushtetuese, si dhe të prokurorëve e gjyqtarëve.
Ajo e quan mizore pamjen e Krasniqit që nuk mund të takojë të vëllanë e të motrën në Kosovë. Sipas saj, ato skena të trishta plot ironi të hidhur tregojnë se një prej drejtuesve të luftës për çlirimin e Kosovës sot, në Kosovën e lirë, përballet me një kufi të padukshëm brenda saj. Ky kufi, thekson ajo, nuk është shtetëror dhe nuk ka ushtarë apo tela me gjemba.
Meço shton se këto pamje janë pasojë e vendimit të një gjykate të Kosovës me seli jashtë saj, e cila u miratua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe përbëhet nga gjyqtarë ndërkombëtarë. Për një përqafim, shkruan ajo, duhet marrë leje në Hagë.
Sipas gazetares, trishtimi i shkaktuar nga distanca fizike mes vëllezërve sa një ngrehinë në Hagë është dhimbje e pasojës. Ajo paralajmëron se nuk mund të dilet nga kjo hulli e errët ligështie pa analizuar shkakun.
Duke folur për rrezikun e përqendrimit te pasojat, Meço thotë se ato na emocionojnë aq fort sa na kursejnë mundimin për të kuptuar shkaqet. Pasoja prodhon revoltë, indinjatë, psherëtimë kolektive dhe na bashkon në dhimbje, ndërsa shkaku kërkon përgjegjësi dhe identifikimin e vendimeve, autorëve dhe interesave që i diktojnë ato.
Ajo nënvizon se energjia nuk duhet të shterohet vetëm me atë që trondit sot, duke e lënë të paprekur mekanizmin që mund të trondisë sërish nesër. Përndryshe, sipas saj, do të vijojë rituali shterues i dënimit të padrejtësive pa prekur kurrë pushtetin që i bëri të mundura.
Meço e sheh fatin si një shtrojë të përbashkët për Kosovën dhe Shqipërinë dhe thekson se negociimi i sovranitetit për të dyja vendet ka sjellë pasoja të rënda në sistemet e drejtësisë.
Sipas saj, me lehtësi tribale, tundim pushteti, mungesë vizioni dhe stofi shtetar, janë nënshkruar vendime për konçesione afatshkurtra, pa kuptuar se me to është firmosur përgjegjësia dhe fati i shoqërisë për të jetuar me pasojat afatgjata.
Gazetarja ngre pyetjen se si arriti Kosova të krijojë me votën e institucioneve të veta një gjykatë të së drejtës kosovare me personel ndërkombëtar dhe seli jashtë territorit, vendimet e së cilës sot duken kaq të largëta nga ndjeshmëria shoqërore.
Ajo rikujton se Dhomat e Specializuara u votuan nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2015 si një arkitekturë e jashtëzakonshme drejtësie dhe se mund të diskutohet sa reale ishte liria e zgjedhjes në ato rrethana, por pikërisht për këtë duhej më shumë përgjegjësi politike dhe garanci të siguruara para nënshkrimit.
Për Meçon, nuk mjafton të mallkohet Haga para çdo kufizimi që ngre dyshime për proporcionalitetin. Ajo kërkon që vëmendja t’u kushtohet njerëzve që e votuan modelin, e mbrojtën politikisht, heshtën për rreziqet dhe sot shfaqen të tronditur nga pasojat e një sistemi që dikur e mbështetën si domosdoshmëri historike për interesa ngushtësisht pushteti. Megjithatë, ajo saktëson se përgjegjësia e politikës nuk e përjashton përgjegjësinë e gjyqtarëve për vendimet e tyre, sidomos atyre ndërkombëtarë.
Kur debati merr zjarr në Shqipëri, Meço thotë se duhet guxim për të parë përtej dhimbjes së asaj koke të bardhë dhe shpirtit të drobitur të Krasniqit. Sipas saj, nuk mund të bëhen patetizma me pezm dhe protestë morale ndaj turpit të Hagës, pa u analizuar ajo që ajo e quan masakër drejtësie që ka kërrusur shoqërinë shqiptare.
Duke kaluar te Shqipëria, gazetarja kritikon reformën në drejtësi, për të cilën thotë se Edi Rama e ka përdorur për vite si kapital politik. Sipas saj, kjo reformë ka prodhuar dëme të frikshme në paraburgime, proporcionalitet, standarde gjykimi, mosveprime dhe llogaridhënie.
Ajo përmend edhe një rregullim të miratuar nga Gjykata Kushtetuese që lejon vëzhguesit e ONM-së të jenë të pranishëm edhe në dhomën e këshillimit për çështjet e rivlerësimit. Kjo, sipas Meços, ndodhi pasi sistemi u shkatërrua me një vetting të dështuar. Ajo shtron pyetjen se çfarë kuptimi ka pavarësia nëse edhe formimi i bindjes së njerëzve të drejtësisë zhvillohet nën vëzhgimin dhe patronazhimin ndërkombëtar, i cili, sipas saj, i nënshtrohet interesave të pushtetit dhe lobingjeve të tij.
Sipas gazetares, kushdo që flet sot për trishtimin e Krasniqit nga platformat e Shqipërisë duhet të analizojë edhe përgjegjësitë e Ramës për reformën që kapi dhe promovoi, të Gjykatës Kushtetuese për rregullimin që miratoi, si dhe të prokurorëve e gjyqtarëve për vendimet që marrin ose nuk marrin. Asnjëra prej këtyre përgjegjësive, nënvizon ajo, nuk e shuan tjetrën.
Meço përfundon se sovraniteti nuk mund të nxirret si mantel nga sënduku sa herë duhet një rifreskim imazhi me bulëza patriotike. Sovranitet, sipas saj, është aftësia për të ndërtuar institucione që garantojnë drejtësi, për t’i kontrolluar me mekanizma kushtetues dhe për të kërkuar përgjegjësi pa cënuar pavarësinë e tyre.
Indinjata për dhimbjen shpirtërore dhe familjare të Krasniqit, shkruan ajo në fund, kërkon domosdoshmërisht që t’u shkohet shkaqeve deri në fund. Fjala e saj mbyllet me një thirrje për autorët dhe mbështetësit e këtyre vendimeve, të cilët nuk e mësuan as pas shekujsh se ligjet duhen bërë nga ata që nuk e dinë nëse nesër do të jenë “padronë a skllevër”.








