Një 65-vjeçar, shtetas grek me origjinë shqiptare, është arrestuar në aeroportin e Athinës, pasi tentoi të transportonte ilegalisht 15 kilogramë kanabis të llojit “spunk” nga Portugalia drejt Greqisë.
Sipas burimeve policore, i moshuari udhëtonte nga Portugalia dhe u ndalua nga antidroga dhe shërbimet doganore greke menjëherë pasi mori valixhen. Mbi të kishte dyshime se ishte i përfshirë në një rrjet të trafikut të narkotikëve, që dyshohet se transportonte drogë nga Spanja dhe Portugalia drejt Greqisë.
65-vjeçari rezulton të jetë arrestuar më herët për trafik emigrantësh. Dyshimet për përfshirjen e tij në rrjetin e narkotrafikut janë shtuar edhe pas arrestimit, pak ditë më parë, të një të afërmi të tij në të njëjtin aeroport, i cili u kap me 34 kilogramë kanabis. Edhe ky i fundit kishte udhëtuar nga Portugalia.
Pas arrestimit, 65-vjeçari u dërgua përpara gjykatës, e cila vendosi ta lërë në burg pa afat. Përveç lëndës narkotike, policia sekuestroi edhe 100 euro dhe 4,200 lekë shqiptare që ai kishte me vete.
Hetimet për zbardhjen e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal dhe personave të tjerë të përfshirë po vijojnë nga antidroga greke.
