Pedagogu Erion Selmani, i ftuar në emisionin “News24 Fundjavë” me moderatoren Megi Latifi, ka komentuar protestat studentore që vijojnë prej muajsh në Tiranë, duke kritikuar takimin e kryeministrit Edi Rama me një grup të rinjsh, të cilin e cilësoi si një përpjekje për dialog me persona që nuk përfaqësojnë protestën.
Sipas Selmanit, studentët me të cilët Rama do të dëshironte të zhvillonte dialog janë çdo ditë në shesh, ndërsa personat që morën pjesë në takimin me kryeministrin nuk përfaqësojnë zërin e protestuesve. Ai pretendoi se disa prej të rinjve të pranishëm janë identifikuar si fëmijë të personave që punojnë në administratë. Pedagogu u shpreh se takimi nuk mund të konsiderohet dialog, por një monolog, duke theksuar se nuk mund të ketë komunikim të vërtetë me persona që nuk janë pjesë e lëvizjes që proteston prej muajsh.
“Studentët me të cilët Rama do të donte të bënte dialog janë çdo ditë në shesh. Të rinjtë që ka takuar Rama, disa prej tyre janë identifikuar, janë fëmijët e atyre që punojnë në administratë. U njoftuam pasi takimi kishte ndodhur. Gabime të tilla nuk mund të kishin ndodhur nga Rama i vitit 2013. Takimi u bë me disa persona që nuk përfaqësojnë protestën. Aty kishte një monolog të thjeshtë, të thatë. Nuk mund të kishte dialog me dikë që vetë nuk i trajton me dialog. Dialogoka me këta që protestojnë prej muajsh poshtë dritares”, u shpreh ai.
Selmani komentoi edhe organizimin e studentëve dhe mundësinë e krijimit të një lëvizjeje politike. Ai tha se pritej që protestuesit të ndërmerrnin hapa drejt një organizimi të tillë, ndërsa takimin e zhvilluar në Universitetin Politeknik e cilësoi si një organizim interesant, edhe pse jo politik. Sipas tij, në këtë fazë studentët duhet të arrijnë të imponojnë zgjidhje politike dhe të kërkojnë përgjegjësi si nga mazhoranca, ashtu edhe nga opozita, duke nisur të marrin frytet e sakrificës së tyre.
Në fund, pedagogu foli edhe për protestën e paralajmëruar më 28 nëntor, duke deklaruar se ajo ka marrë tashmë një dimension ndërkombëtar. Sipas tij, në Shqipëri pritet të mbërrijnë edhe shtetas të huaj, të cilët do t’u bashkohen miqve të tyre në protestë.
“Një këshillë për studentët është që të jenë të gjithë së bashku dhe të organizuar. Pritej nga të gjithë krijimi i një partie politike. Dje u njoftua një organizim, por nuk është organizim politik, është një organizim interesant. Bëhet fjalë për takimin te Politekniku. Mbase mund të kishin bërë edhe një gjysmë hapi drejt një organizimi politik. Në këtë fazë studentët duhet të imponojnë zgjidhje politike, të nisin të mbledhin frytet e sakrificës së tyre. Mund t’i imponohen opozitës dhe mazhorancës. Protesta e datës 28 nëntor është mbarëkombëtare, ka nisur tashmë diaspora. Kam informacione që do të kemi edhe të huaj që vijnë për të protestuar me shokët e tyre në Shqipëri”, është shprehur mes të tjerave pedagogu.
