Nga mbreti i tenisit në drejtues të Real Madridit, Nadal merr besimin thuajse unanim të anëtarëve Një natë e paharrueshme, e shënuar fillimisht nga euforia për fitimin e një trofeu ndërkombëtar, të cilin e kishte pritur prej 18 vitesh, e më pas nga momente ankthi të madh. Leandro Paredes përjetoi çdo lloj emocioni në Estadio Metropolitano Roberto Meléndez të Barranquillas, në Kolumbi, ku Boca Juniors i tij triumfoi në Copa Sudamericana, duke mposhtur Atlético Mineiron me rezultatin 2-0.
Mesfushori argjentinas i lindur në vitin 1994, ish-lojtari i Romës dhe Juventusit, ishte një nga protagonistët kryesorë të mbrëmjes, deri në momentin kur u zëvendësua. Në minutën e 58-të, ai u detyrua të linte fushën, duke i hapur vend Tomás Belmonte-s, mes duartrokitjeve të fuqishme të tifozëve të Boca Juniors, të cilët brohorisnin emrin e tij. Zëvendësimi u bë për shkak të rënies së tensionit, të shkaktuar nga temperaturat përvëluese në Kolumbi, që kalonin 35 gradë Celsius, si dhe nga dehidratimi.
Megjithatë, pas vërshëllimës së fundit, Paredes gjeti energjitë për të ngritur lart trofeun si kapiten, ndërsa shpërtheu në lot në fushë, së bashku me familjen e tij, për të festuar një arritje historike. Pak më vonë, por, festa ia la vendin frikës. Gjatë një interviste për Dsports, ku u shfaq dukshëm i rraskapitur dhe i emocionuar, lojtari nisi të falënderonte për triumfin, por më pas ktheu kokën anash dhe u shemb papritur në tokë, në transmetim të drejtpërdrejtë. Regjia televizive e ndërpreu menjëherë pamjen nga intervista dhe kaloi te fusha, ndërsa stafi mjekësor ndërhyri me shpejtësi për t’i dhënë ndihmën e parë.
Fatmirësisht, alarmi u shua brenda pak minutash. Paredes u përmend shpejt, por gjithsesi u transportua në një klinikë në Barranquilla për kontrolle paraprake, duke bërë që kthimi i ekipit në Argjentinë të shtyhej me disa orë. Për të sqaruar atë që ndodhi, në konferencën për shtyp foli trajneri i Boca Juniors, Rodolfo “Vasco” Arruabarrena: ‘Ai kishte filluar të ndiente marramendje dhe një rënie të gjendjes fizike që në fund të pjesës së parë. Gjatë pushimit dukej se ishte rikuperuar, por pas dhjetë minutash në pjesën e dytë e kishte të vështirë të lëvizte në mënyrë laterale dhe ishte i sinqertë kur kërkoi zëvendësimin. Përtej klasit të jashtëzakonshëm që shfaq në fushë, ai është një lider pozitiv, që nxjerr më të mirën nga të gjithë’-tha ai.
Çdo shqetësim u shua përfundimisht nga vetë Paredes, i cili publikoi në rrjetet sociale një foto nga klinika, ende i veshur me fanellën e Boca Juniors, të shoqëruar me një mesazh plot humor për të qetësuar tifozët: ‘Jam mirë! Rroftë Boca, sot dhe përgjithmonë. Faleminderit të gjithëve për mesazhet. Ishte thjesht një marramendje e shkaktuar nga gjithë ato rrotullime njëra pas tjetrës’-shkruante ai.
Një moment i vogël frike në fund, që nuk e zbeh aspak gëzimin e rikthimit, të cilin e kishte ëndërruar që nga dita kur ishte larguar nga klubi: ‘Kam realizuar një ëndërr. Kjo është një lumturi e papërshkrueshme’.
Top Channel