Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës, ku së bashku me homologun e tij të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, merr pjesë në ceremoninë e inaugurimit të sistemit të ri të kontrollit kufitar “One Stop Shop”.
Sistemi “Një ndalesë – Një kontroll” mundëson kryerjen e kontrolleve kufitare, doganore dhe të sigurisë në një pikë të vetme të përbashkët, duke shmangur procedurat e dyfishta dhe duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve dhe mallrave mes dy vendeve. Pra, e thënë me fjalë më të thjeshta, qytetarët nuk do i nënshtrohen kontrolleve edhe nga pala shqiptare, edhe nga ajo maqedonase, por do të ketë vetëm një pikë kontrolli të përbashkët.
Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se ky transformim do t'u vlejë miliona qytetarëve që kalojnë në këtë pikë kufitare, ndërsa theksoi se synimi është shtrirja e të njëjtit sistem edhe në pikat e tjera kufitare.
“Sot jemi në një moment jashtëzakonisht pozitiv në marrëdhëniet tona, sepse hidhet një hap konkret për këtë transformim, që ka një rëndësi të jashtëzakonshme për miliona njerëz që kalojnë këtë kufi. Ne kemi një shprehje në shqip: “Beso dhe kontrollo”. Deri tani, në këtë doganë kemi qenë te “beso dhe kontrollo”, ndërsa hapi tjetër është “beso-beso”, që të mos kemi më asnjë kontroll këtu, në rrugëtimin tonë të përbashkët për t'u bërë pjesë e Europës, pa kontrolle në kufijtë mes nesh.
Jemi në një proces bashkëpunimi, ku kemi shumë gjëra që duhet t'i bëjmë së bashku. Pa diskutim, njëra prej tyre është që të punojmë për ta çuar përpara projektin madhor, të rëndësishëm për rajonin. Falënderoj gjithë ata që punuan për të realizuar këtë transformim, i cili do t'u vlejë shumë njerëzve që kalojnë këtë doganë. Njëkohësisht, do të vazhdojmë edhe me pikat e tjera, për të pasur të njëjtin sistem.”,- deklaroi Rama.
Nga ana tjetër, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, të cilat i cilësoi të mira. Ai theksoi se ky projekt përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit rajonal, duke afruar më tej dy vendet dhe duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve përtej kufirit.
“Është një kënaqësi e veçantë që po fillojmë një punim të tillë nëpërmjet vendosjes së një sistemi kontrolli “One Stop Shop”, që do të mundësojë një transport më të lehtë dhe një ndërlidhje më të lehtë mes dy vendeve. Do të përforcojmë lidhjet edhe në të gjitha pikat e tjera të kufirit. Kjo është një vlerë e shtuar për të dyja vendet. Mendoj për bashkëpunimin në fushën e turizmit, përreth Liqenit të Ohrit, komunën e Ohrit dhe të Strugës, si dhe komunat e tjera që gravitojnë përgjatë liqenit, por gjithashtu edhe për bregdetin në Shqipëri.
Në fund, dëshiroj të falënderoj ministrin e Punëve të Brendshme, doganierët dhe të gjithë ata që kontribuuan që të kemi këtë përurim, si dhe një falënderim për mikun tim, kryeministrin Edi Rama.”,- u shpreh Mickoski.











Komente
Komento