Në episodin e podkastit “Flasim” me kryeministrin Edi Rama u vu në fokus platforma e re “Pasqyra e Çmimeve”. Drejtuesja e projektit raportoi se që prej lançimit platforma ka regjistruar mbi 10 mijë vizitorë unikë dhe është hapur mbi 63 mijë herë. Sipas saj, një vizitor qëndron mbi tre minuta në faqe dhe shfleton mesatarisht pesë faqe, tregues të interesit nga qytetarët për përmbajtjen e ofruar.
Të dhënat e platformës tregojnë se gjatë pesë javëve të fundit 34% e produkteve kanë pasur ulje çmimi. Drejtuesja theksoi se transparenca e çmimeve ka nxitur konkurrencën mes tregtarëve dhe ka sjellë lëvizje në treg: “Kemi kontaktuar edhe me tregtarët, sepse i ndihmojmë në hedhjen e të dhënave. Na kanë thënë që: ‘Pse unë jam i fundit? Do e rregullojmë, do e ulim çmimin. Pse jam unë tregtari me çmim më të lartë, kur s’kam pse të jem?’ Dhe është vënë re që shumica kanë rritur numrin e artikujve që kanë çmim më të ulët. Është vënë re konkurrenca, ka lëvizur tregu sepse ka transparencë të dhënash.”
Për të lehtësuar përdorimin nga qytetarët, platformës i është shtuar opsioni i kërkimit përmes barkodit. Drejtuesja pohoi se ky funksionalitet e bën më të thjeshtë gjetjen e produkteve dhe se informacioni vjen edhe nga raftet e supermarketeve: “Aktualisht e kemi zhvilluar më shumë, sepse kemi futur opsionin e barkodit, që qytetari ta ketë më të lehtë për ta përdorur. Është në raftet e supermarketeve.”
Raporti i prezantuar në podkast përfshin të dhëna të vizitueshmërisë dhe lëvizjes së çmimeve, si dhe komunikimin e platformës me tregtarët për të përmirësuar futjen e të dhënave. Lajmi u publikuar nga Top Channel.

