Belgjika pritet të përballet me paralizim të transportit ajror dhe atij publik më 23 nëntor, për shkak të një proteste kombëtare të thirrur nga tri sindikatat më të mëdha të vendit. Në grevë do të marrin pjesë edhe kontrollorët e trafikut ajror, duke sjellë anulimin e shumicës së fluturimeve në aeroportet belge. Ndërkohë, kufizime të ndjeshme priten edhe në shërbimin e autobusëve, tramvajëve dhe metrosë. Kompania Skeyes, përgjegjëse për kontrollin e trafikut ajror, ka njoftuar se nuk do të mund të garantojë funksionimin normal të shërbimit nga ora 07:00 deri në 21:00. Për këtë arsye, aeroporti i Brukselit ka paralajmëruar anulimin e pjesës më të madhe të fluturimeve, si në nisje, ashtu edhe në mbërritje. Ndërprerje të operacioneve ka njoftuar edhe aeroporti i Charleroi (Sharlërua). Jashtë kufizimeve do të mbeten vetëm fluturimet e emergjencës dhe ato të domosdoshme për sigurinë.