Juglindja gati për sezonin dimëror, 30 borëpastruese për mirëmbajtjen e rrugëve
Sezoni dimëror në juglindje i paraprin përgatitja për marrjen e masave për përballimin e situatave që sjell stina e ftohtë, si garantimi i kalueshmërisë së rrugëve dhe ofrimi i shërbimeve bazë për banorët e zonave të thella.
Sipas prefektes së Korçës, Florinda Zegullaj, janë kryer inspektime në terren për të verifikuar gjendjen dhe gatishmërinë e mjeteve borëpastruese, fadromave, si dhe rezervave të kripës dhe skorjes.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar aksit të Qafë Thanës, i cili shtrihet në juridiksionin e dy prefekturave, Korçë dhe Elbasan.
“Strukturat operacionale të kalojnë pas datës 15 nëntor në gatishmëri të plotë për menaxhimin e situatave të emergjencave civile”, tha Florinda Zegullaj, prefekte e Qarkut Korçë.
Ndërkohë, nga Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Pogradec bëhet me dije se është siguruar furnizimi me medikamente për të gjitha qendrat shëndetësore në zonat e thella malore. Gjithashtu, do të zbatohet një program i posaçëm për ofrimin e shërbimit mjekësor në banesë për familjet që jetojnë në këto zona.
“Prezenca e të gjitha medikamenteve për sezonin dimëror është e garantuar. Po aq i rëndësishëm është edhe kontrolli i ujit të pijshëm në këto zona. Për këtë arsye, gjatë sezonit dimëror kryhen analiza të vazhdueshme, ku mostrat e ujit merren një herë në dy ditë për të garantuar sigurinë dhe cilësinë e tij”, tha Elona Katiraj, drejtoreshë e NJVKSH Pogradec.
Për përballimin e sezonit dimëror janë në dispozicion 30 mjete borëpastruese, të cilat do të angazhohen në mirëmbajtjen e akseve kryesore rrugore të juglindjes. Ndër rrugët ku do të përqendrohet puna janë aksi Kapshticë–Qafë Thanë, Korçë–Tri Urat, Korçë–Voskopojë, Korçë–Dardhë dhe Zëmblak–Goricë e Madhe.
Gazetare: Kostanca Koçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



