Drejtoria e Burgjeve njoftoi ndërhyrje në spitalin e Fierit, Veliaj: Si mund t’i besoj jetën time personit që më internoi
Drejtoria e Burgjeve njoftoi se kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj duhet të paraqitej në spital ditën e diel, më 22 nëntor, për kryerjen e konsultave dhe analizave. Kryebashkiakut, sipas Drejtorisë së Burgjeve, i ishte dhënë mundësia që mjeku i zgjedhur prej tij të ishte i pranishëm gjatë përgatitjeve për operacionin më 22 nëntor, gjatë ndërhyrjes më 23 nëntor ose në të dyja ditët.
Por vetë Veliaj e ka refuzuar këtë gjë, duke thënë se nuk mund t’i besojë jetën e tij një personi që e ka internuar politikisht në burgun e Fierit.
Veliaj këmbëngul se operacionin duhet ta kryej në një spital të zgjedhur prej familjarëve të tij.
Reagim i Kryetarit Veliaj:
E kuptoj që makineria e PR-it të Kryeministrit është sulur edhe ndaj këmbës sime, me sa duket se u kanë mbaruar punët e vendit për të publikuar.
Por e vërteta është se as e kam kërkuar dhe sigurisht e kam refuzuar operimin në një spital të imponuar nga ai që më internoi në Fier, Kryeministri i vendit. Pas asaj që e konsideroj internim politik, si mund t’i besoj të njëjtit person edhe për një operacion nën narkozë, ku në lojë është vetë jeta ime?
Që të premten në mëngjes i jam drejtuar GJKKO-së për të garantuar vlerësimin nga mjeku i zgjedhur prej meje dhe operimin në spitalin që zgjedh familja ime.
Nuk po refuzoj trajtimin apo operimin e mundshëm, të cilin e kam kërkuar prej muajsh. Po refuzoj që ai që më internoi të vendosë edhe mbi jetën time!




