Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar pas refuzimit për t’u paraqitur në Spitalin Memorial të Fierit për të kryer analizat paraprake për operacionin në këmbë.
Veliaj ka kundërshtuar vendin ku i është kërkuar të kryejë ndërhyrjen kirurgjikale, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka vendosur për transferimin e tij në Fier.
Veliaj e cilëson transferimin nga paraburgimi i Durrësit drejt Fierit si “internim politik” dhe thotë se, për këtë arsye, nuk mund t’i besojë të njëjtit person edhe vendimmarrjen për një ndërhyrje kirurgjikale që kërkon anestezi.
“E kuptoj që makineria e PR-it të Kryeministrit është sulur edhe ndaj këmbës sime, me sa duket se u kanë mbaruar punët e vendit për të publikuar. Por e vërteta është se as e kam kërkuar dhe sigurisht e kam refuzuar operimin në një spital të imponuar nga ai që më internoi në Fier, Kryeministri i vendit. Pas asaj që e konsideroj internim politik, si mund t’i besoj të njëjtit person edhe për një operacion nën narkozë, ku në lojë është vetë jeta ime?”, shkruan Veliaj.
Kryebashkiaku bën të ditur se që prej mëngjesit të së premtes i është drejtuar Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), duke kërkuar që vlerësimi i gjendjes së tij shëndetësore të kryhet nga një mjek i zgjedhur prej tij, ndërsa spitali ku do të zhvillohet ndërhyrja të përcaktohet nga familja.
Ai thekson se nuk po kundërshton trajtimin mjekësor dhe as operacionin, për të cilin pretendon se ka kërkuar prej muajsh. Kundërshtimi i tij, sipas reagimit, lidhet me kushtet dhe institucionin ku i është kërkuar të kryejë ndërhyrjen.
“Nuk po refuzoj trajtimin apo operimin e mundshëm, të cilin e kam kërkuar prej muajsh. Po refuzoj që ai që më internoi të vendosë edhe mbi jetën time!”, përfundon Veliaj.













