Shoferi shqiptar arrestohet me 114 kilogramë kokainë në Francë
Një shofer 50-vjeçar shqiptar është arrestuar në Francë, pasi në kamionin që drejtonte janë zbuluar dhe sekuestruar 114.6 kilogramë kokainë.
Sekuestrimi është kryer nga oficerët e doganës në pikën e pagesës në Arles, gjatë natës mes të mërkurës, 18 nëntor, dhe të enjtes, 19 nëntor.
Sipas raportimit të mediumit francez La Provence, kontrolli i kamionit nisi pak pas mesnatës, kur zyrtarët e doganës ndaluan automjetin për një kontroll rutinë. Kamioni kishte targa italiane dhe po transportonte mallra për një rrjet të madh shitjesh me pakicë.
Gjatë kontrollit, oficerët zbuluan se shoferi kishte fshehur një sasi të konsiderueshme droge në bartësin e kamionit, pjesën që përdoret për stabilizimin e ngarkesës. Aty u gjetën gjithsej 114.6 kilogramë kokainë.
Pas arrestimit, shoferi iu dorëzua Zyrës Kundër Narkotikëve të Policisë Gjyqësore (Ofast) në Marsejë, ndërsa më pas u dërgua në paraburgim, në pritje të paraqitjes para gjykatës, transmeton Telegrafi.
Gjatë marrjes në pyetje, 50-vjeçari shqiptar i ka mohuar akuzat. Ai ka pretenduar se kokaina ishte vendosur në kamionin e tij pa dijeninë e tij dhe se nuk kishte pasur njohuri për drogën e fshehur në bartësin e automjetit deri në momentin e kontrollit doganor.
Sipas medias franceze, shoferi nuk kishte precedentë penalë dhe nuk ishte i njohur më parë për sistemin francez të drejtësisë.
Ai pritet të gjykohet për posedim, transportim dhe importim të narkotikëve, si dhe për veprën doganore të transportimit të mallrave të ndaluara.
Seanca e tij e menjëhershme gjyqësore është caktuar të mbahet këtë të martë, më 24 nëntor, në gjykatën e Tarasconit./Telegrafi/





























