Një valë zgjedhjesh në vendet kyçe të Evropës gjatë 13 muajve të ardhshëm mund të ndryshojë ekuilibrat politikë në Bashkimin Evropian, ndërsa partitë nacionaliste dhe të ekstremit të djathtë po fitojnë mbështetje dhe rrisin mundësinë e një blloku euroskeptik që vështirëson vendimmarrjen në Bruksel. Sipas një analize të The Guardian, cikli zgjedhor, me qendër Spanjën, Francën, Poloninë dhe Italinë, mund të përcaktojë drejtimin politik të Unionit për vitet e ardhshme. Gara priten gjithashtu në Greqi, Estoni, Finlandë dhe Sllovaki, dhe zgjedhje rajonale në Gjermani.
Zgjedhjet nisën më 29 nëntor në Spanjë, ku kryeministri socialist Pedro Sanchez mund të humbasë ndaj Partisë Popullore konservatore dhe forcës së ekstremit të djathtë Vox, të cilat kanë bashkëpunuar në disa rajone. Në Francë, Marine Le Pen i Tubimit Kombëtar shihet si një nga favoritët për presidencën, me sondazhe që e vendosin përpara Jean-Luc Mélenchon dhe forcave të fragmentuara të qendrës. Në Poloni partitë nacionaliste rritin ndikimin dhe, nëse bashkohen, mund të sfidojnë koalicionin proevropian të Donald Tusk. Në Itali, kryeministrja Giorgia Meloni synon një mandat të dytë përpara fundit të 2027, por po përballet me presion nga forca më radikale e Roberto Vannacci-t, e quajtur E ardhmja Kombëtare.
Rritja e së djathtës radikale ndodh ndërkohë që mbështetja për BE-në mbetet e lartë: 74% e evropianëve mendojnë se vendi i tyre përfiton nga anëtarësimi, por pothuajse një në katër votues mbështet partitë e ekstremit të djathtë, një rritje e konsiderueshme që nga mesi i viteve 1990. Faktorë që nxisin ndryshimin përmenden stagnimi ekonomik, masat shtrënguese, plakja e popullsisë dhe presioni mbi financat publike. Çështjet kryesore të përplasjes politike përfshijnë emigracionin, tranzicionin e gjelbër, mbështetjen për Ukrainën dhe globalizimin; analiza përmend edhe ndikimin e dezinformimit rus dhe mbështetjen e administratës Trump për partitë patriotike.
Franca konsiderohet pika më kritike: programi i Le Pen parashikon uljen me 11 miliardë euro të kontributit francez për BE-në, një referendim kushtetues për t’i dhënë përparësi ligjit francez ndaj atij evropian dhe moszbatimin e disa rregullave të tregut të përbashkët. Analistë si Natalie Tocci dhe Stefan Lehne paralajmërojnë se cikli zgjedhor mund të dobësojë brenda Bashkimin Evropian, duke e bërë atë të paaftë për t’u përshtatur me sfidat ndërkombëtare; rreziku kryesor është që përplasjet ndërqeveritare dhe mungesa e vendimmarrjes së përbashkët të zvogëlojnë peshën dhe ndikimin e Evropës.
