Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar gjendjen e rëndë të Unazës së Fushë-Krujës, ku sipas pamjeve të dërguara, rruga është mbuluar nga balta, pellgjet me ujë dhe gropat e thella.
“Dhe kjo është ajo me të cilën duhet të përballem çdo ditë”, shprehet qytetari në fillim të videos, ndërsa filmon rrugën nga kabina e automjetit të tij. Pamjet tregojnë një segment të dëmtuar rëndë, ku mjetet e tonazhit të rëndë detyrohen të lëvizin mes baltës dhe gjurmëve të thella të krijuara nga gomat.
Në video shihen disa kamionë që kalojnë në të njëjtin segment, ndërsa sipërfaqja e rrugës është e mbushur me ujë dhe baltë. Kjo gjendje e vështirëson qarkullimin dhe e kthen çdo kalim në këtë aks në një problem të përditshëm për drejtuesit e mjeteve.
Qytetari ngre edhe një pikëpyetje që kërkon përgjigje nga institucionet përgjegjëse: ku shkojnë paratë publike, kur qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve vazhdojnë të përballen me rrugë në këtë gjendje? Nuk bëhet fjalë për një shqetësim estetik, por për një infrastrukturë që duhet të garantojë qarkullim normal dhe të sigurt.
Bashkia Fushë-Krujë dhe institucionet përgjegjëse për mirëmbajtjen e këtij aksi duhet të dalin me një sqarim dhe të tregojnë se kur do të ndërhyhet për rehabilitimin e Unazës. Banorët dhe drejtuesit e mjeteve nuk mund të vazhdojnë të përballen çdo ditë me baltë e gropa, ndërsa përgjegjësia për gjendjen e rrugës mbetet pa një përgjigje konkrete.