Dy persona kanë rënë në prangat e policisë, pasi akuzohen për vjedhjen e një shume të konsiderueshme parash dhe sendesh me vlerë në një banesë në lagjen nr. 4 të Durrësit.

Të arrestuarit janë një 51-vjeçar, banues në Durrës, dhe një 24-vjeçare nga Lushnja. Sipas hetimeve, dyshohet se 51-vjeçari ka hyrë në banesën e një shtetasi dhe ka marrë rreth 22 mijë euro, 800 mijë lekë, ora të markave të shtrenjta, bizhuteri, parfume, çanta luksoze dhe sende të tjera me vlerë.

Pas vjedhjes, ai dyshohet se i ka transportuar sendet në banesën e 24-vjeçares në Lushnjë, e cila, sipas policisë, ishte në dijeni të ngjarjes dhe ka bashkëpunuar me të.

Gjatë kontrolleve në banesat e dy të dyshuarve, uniformat blu kanë sekuestruar një pjesë të sendeve të vjedhura, ndërsa në banesën e 51-vjeçarit janë gjetur edhe mjetet e përdorura për kryerjen e vjedhjes, përfshirë maska, çelësa dhe veshje.

Operacioni policor u kodua “Objektivi”. Ndërkohë, hetimet vijojnë për gjetjen e pjesës tjetër të parave dhe sendeve të grabitura, si dhe për të verifikuar nëse dy të arrestuarit janë të përfshirë në vjedhje të tjera.