Kryeministri Edi Rama po zhvillon ditën e sotme një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ku është takuar me homologun e tij, Hristijan Mickoski. Në fokus të vizitës është forcimi i marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimi mes dy vendeve dhe procesi i integrimit europian.
Vizita vjen pas përurimit të sistemit të përbashkët të kontrollit kufitar “One Stop Shop” në pikën kufitare të Qafë Thanës, një projekt që synon lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe përshpejtimin e procedurave në kufi.
Ceremonia e përurimit u shoqërua me deklarata të dy kryeministrave për rëndësinë e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, rrugëtimin drejt Bashkimit Europian dhe marrëdhëniet me shqiptarët që jetojnë në vendin fqinj.
Përmes këtij projekti, dy qeveritë synojnë të reduktojnë barrierat në kufi dhe të thellojnë bashkëpunimin, duke e kthyer lëvizjen mes dy vendeve në një proces më të shpejtë dhe më efikas.

