E diel, 22 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Rama humb durimin në Qafë Thanë dhe sulmon gazetarin: Çfarë je ti, protestues?
Lajme

Rama humb durimin në Qafë Thanë dhe sulmon gazetarin: Çfarë je ti, protestues?

Kryeministri Edi Rama është përfshirë në një debat me një gazetar shqiptar në Maqedoninë e Veriut, pasi ky i fundit e pyeti për marrëdhëniet e tij me drejtuesit e qeverisë maqedonase dhe, sipas tij, mungesën e vëmendjes ndaj shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet.

Përplasja ndodhi në Qafë Thanë, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në kuadër të përurimit të sistemit të integruar të kalimit kufitar “One Stop Shop”.

Gazetari e vuri Ramën përballë kontrastit mes marrëdhënieve të afërta që ai shfaq me kryeministrat maqedonas dhe interesimit që, sipas tij, duhet të tregojë për problematikat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Ju shohim shpesh që bëni miq kryeministrat në Maqedoni, keni mik Ali Ahmetin, shpesh bëni edhe me Mickoskin, por jo shqiptarët dhe hallet e tyre. Asnjëherë nuk jeni interesuar për shqiptarët në vendin tonë, nuk e çelni gojën. Ju i keni miq kryeministrat apo do bëni miq shqiptarët?”, ishte pyetja e gazetarit.

Reagimi i Ramës erdhi menjëherë. Ai e ndërpreu gazetarin me një pyetje që shkaktoi debat: “Çfarë je ti, protestues?”, përpara se të vijonte me shpjegimin e qëndrimit të tij.

Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se Maqedonia e Veriut është një shtet sovran dhe se Tirana nuk duhet të ndërhyjë në çështjet e brendshme të saj. Sipas Ramës, shqiptarët në këtë vend janë popullsi shtetformuese dhe kanë mundësi të përfaqësohen përmes partive dhe institucioneve politike.

“Thashë unë, je protestues. Dua të them disa gjëra që shpresoj t’i dëgjosh siç i dëgjova unë me respekt.

Së pari, Maqedonia e Veriut është shtet sovran, ku shqiptarët janë popullsi shtetformuese dhe kanë të gjitha rrugët dhe mundësitë të përfaqësohen. Kështu që unë nuk mendoj se i ndihmon marrëdhënies vëllazërore mes dy shteteve asnjë ndërhyrje e kryeministrave përkatës në punët e brendshme të shtetit tjetër.

Çështjet që ju prekët janë çështje që trajtohen dhe duhet të trajtohen gjithmonë nga Republika e Maqedonisë së Veriut. Shqiptarët kanë mjaftueshëm parti politike dhe mendoj se kanë më shumë se ç’duhet, për t’i përfaqësuar dhe për të shpalosur të gjitha gjërat dhe të gjitha opinionet”, u përgjigj Rama.

Ai shtoi se nuk ka ndërmend të përfshihet në fushatat e partive politike në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se as përfaqësuesit politikë shqiptarë të këtij vendi nuk bëjnë fushatë në Shqipëri apo nuk shfaqen në krah të tij për deklarata politike.

“Ju as më keni parë mua dhe as do më shihni ndonjëherë të bëj fushatë për asnjë parti politike këtu në Maqedoninë e Veriut. Dhe as keni parë ndonjëherë që politikanët shqiptarë këtu të bëjnë fushatë në Tiranë apo të dalin në foto me mua dhe të bëjnë deklarata.

Patjetër, ne kemi komunikim, të gjithë përfaqësuesit politikë të Maqedonisë jemi të gatshëm për diskutime mbi mbarësinë e punës së përbashkët, por ka një kufi që as do e shihni të kapërcehet, që i takon institucioneve shtetërore dhe shqiptarëve që kanë të drejtë të ndërveprojnë me njëri-tjetrin pavarësisht kufijve”, deklaroi kryeministri.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.