Në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, kapen në Shkodër dhe Vorë dy të kërkuar nga drejtësia italiane
Policia e Shtetit ka finalizuar dy faza të tjera të operacionit të koduar “Fast”, duke arrestuar në Shkodër dhe në Vorë dy shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane.
Operacioni u zhvillua nga FAST Albania, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe Tiranë, pas shkëmbimit të informacioneve mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës.
Në Shkodër u arrestua një 45-vjeçar, me inicialet A. D., alias V. D., i dënuar nga Gjykata e Apelit e Romës me 7 vite e 11 muaj burgim për disa vepra penale, mes tyre vjedhje me dhunë në bashkëpunim, vjedhje me thyerje në tentativë dhe dhunë ndaj punonjësve publikë. Atij i kanë mbetur për të vuajtur edhe 5 vite, 4 muaj e 2 ditë burgim.
Ndërsa në Vorë u kap një 49-vjeçar, me inicialet B. K., i shpallur në kërkim nga Interpol Roma. Ai është dënuar nga Gjykata e Apelit e Barit me 4 vite burgim për veprat penale “Torturë” dhe “Skllavëri”, ndërsa i kanë mbetur për të vuajtur 3 vite, 11 muaj e 3 ditë burgim.
Të dy shtetasit janë arrestuar me qëllim ekstradimin drejt Italisë. Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet italiane, vijon procedurat për ekstradimin e tyre.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




