Dy shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane janë arrestuar në Shkodër dhe Vorë, në kuadër të operacionit të policisë të koduar “Fast”. Të dy pritet të ekstradohen drejt Italisë, ku kanë dënime të formës së prerë për vepra të ndryshme penale.
Njëri prej tyre, 45 vjeç, u arrestua në Shkodër. Ai ishte dënuar nga Gjykata e Apelit në Romë me 7 vite e 11 muaj burg për vjedhje me dhunë në bashkëpunim, vjedhje me thyerje në tentativë, kundërshtim të punonjësve të policisë dhe dhunë apo kanosje ndaj punonjësit publik. Nga dënimi i tij kanë mbetur për të vuajtur edhe 5 vite, 4 muaj e 2 ditë burg.
Ndërkohë, 49-vjeçari tjetër u kap në Vorë, pasi ishte shpallur në kërkim nga Interpol Roma. Gjykata e Apelit në Bari e kishte dënuar me 4 vite burg për torturë dhe skllavëri, ndërsa i kanë mbetur edhe 3 vite, 11 muaj e 3 ditë për të vuajtur.
Operacioni u zhvillua nga Forca e Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me strukturat e policisë në Shkodër dhe Tiranë, pas shkëmbimit të informacioneve mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës. Procedurat për ekstradimin e dy të arrestuarve drejt Italisë janë në vijim.
