Bardhezinjtë shfaqën dy fytyra të ndryshme, por pjesa e dytë dha një sinjal të qartë: Woltemade dhe Kolo Muani funksionojnë shumë mirë së bashku.

Cili është Juventusi i vërtetë? Ai i pjesës së parë, i ngadaltë, pa ide dhe i paaftë për të gjetur hapësirat përballë një Venezias që synonte të mbante rezultatin 0-0? Apo skuadra e pjesës së dytë, që shpërtheu në sulm, shënoi katër gola dhe krijoi edhe disa raste të tjera të rrezikshme?

Tifozët bardhezinj do të dëshironin që fytyra e dytë të ishte ajo e vërteta e Juventusit. Një skuadër më e lirshme, më agresive dhe e vendosur për të marrë rezultate që ndikojnë në renditje dhe rrisin moralin. Megjithatë, paraqitjet e fundit nuk japin shumë arsye për të harruar problemet e shfaqura në pjesën e parë. Një Juventus i zbehtë dhe i ngadaltë nuk është më një përjashtim, por një shqetësim që po përsëritet. Mes gjithë pikëpyetjeve, një përfundim duket gjithnjë e më i qartë: Juventusi funksionon më mirë kur luan me dy sulmues të mirëfilltë.

Nick Woltemade, edhe pse nuk është një qendërsulmues klasik, po arrin të shfrytëzojë në maksimum cilësitë e tij, veçanërisht fuqinë fizike. Në krahun tjetër, Randal Kolo Muani është një profil krejtësisht tjetër. Francezi bëhet shumë më i rrezikshëm kur ka hapësirë për të shfrytëzuar shpejtësinë dhe përshpejtimin e tij. Kur qëndron i vetëm në majën e sulmit, apo detyrohet të luajë me shpinë nga porta, efektiviteti i tij bie. Por kur nis aksionet nga një pozicion më i tërhequr, mund të bëhet vendimtar.

Pikërisht për këtë arsye, Luciano Spalletti duket se ka gjetur një kombinim nga i cili nuk duhet të heqë dorë, përveç rasteve kur dëmtimet e bëjnë të pamundur aktivizimin e të dyve. Woltemade dhe Kolo Muani plotësojnë njëri-tjetrin dhe prania e tyre së bashku i jep Juventusit më shumë alternativa në fazën sulmuese.

Se marrëdhënia mes dy futbollistëve është shumë e mirë u pa edhe në momentin e penalltisë së katërt. Woltemade, i cili konsiderohet një nga ekzekutuesit kryesorë të skuadrës, ia la topin Kolo Muanit me një buzëqeshje, duke i dhënë mundësinë francezit të festonte gjithashtu.

Një gjest që tregon harmoninë mes tyre, por edhe një sinjal për Spallettin: kjo dyshe mund të jetë një nga çelësat për ta bërë Juventusin më të rrezikshëm dhe më të qëndrueshëm në vazhdim të sezonit.

Top Channel