Amortizimi i rrugës Nacionale Rrëshen-Burrel është kthyer në një shqetësim për banorët të cilët shprehen se ky aks nuk ka parë asnjëherë dorën e shtetit. Ata shprehen se kostot për familjet e tyre teksa kalojnë në këtë rrugë janë të mëdha, si në dëmtimin e makinave ashtu edhe në kohën që duhet për të kaluar, pasi rruga është me gropa dhe ka rrëshqitje dherash.
Syri tv
Rruga nacionale Rrëshen-Burrel vijon të jetë në gjendje të amortizuar, duke u kthyer në një shqetësim të përditshëm për drejtuesit e automjeteve dhe banorët e zonës. Edhe pse është ndërtuar 13 vite më parë, aksi prej 31 kilometrash paraqet dëmtime të shumta, ndërsa ndërhyrjet për rehabilitimin e tij ende mungojnë. Situata është bërë veçanërisht problematike për banorët, të cilët përballen çdo ditë me vështirësitë e udhëtimit dhe kostot e dëmtimeve të automjeteve.
Kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Mëlyshi, bën të ditur se rruga është nën administrimin e Autoritetit Rrugor Shqiptar. Sipas tij, institucionet qendrore janë njoftuar disa herë për gjendjen e rënduar të këtij aksi, ndërsa është kërkuar ndërhyrje për rehabilitimin e tij.
Ky aks nuk është i rëndësishëm vetëm për lidhjen Rrëshen-Burrel, por u shërben edhe banorëve të 10 fshatrave në bashkitë Mirditë dhe Mat. Përgjatë gjithë segmentit konstatohen rrëshqitje të trupit të rrugës, çarje të asfaltit dhe gropa të shumta, të cilat vështirësojnë qarkullimin dhe rrezikojnë sigurinë e përdoruesve të saj.
© SYRI.net