Ahmeti takoi Ramën: Diskutuam për bashkëpunimin mes dy shteteve, integrimin evropian dhe çështjet me interes të përbashkët për shqiptarët

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Ahmeti bëri të ditur se në këtë takim, të zhvilluar më 22 Nëntor, kanë diskutuar për bashkëpunimin mes dy shteteve, integrimin evropian dhe çështjet me interes të përbashkët për shqiptarët.
“Sot pata kënaqësinë të takoj Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë dhe mikun tim, z. Edi Rama.
Me Edin, si gjithmonë, biseduam vëllazërisht, hapur dhe me përkushtim për çështjet me interes të përbashkët për kombin tonë shqiptar, për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve tona, për perspektivën evropiane, partneritetin në kuadër të NATO-s dhe përgjigjen e përbashkët ndaj sfidave me të cilat përballemi.
Ky takim merr një domethënie të veçantë edhe për faktin se zhvillohet më 22 Nëntor, në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, dhe në vigjilje të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë.
Këto ditë të Nëntorit të Madh na rikujtojnë rrugëtimin tonë historik, sakrificat ndër breza dhe rëndësinë e bashkimit rreth gjuhës, flamurit dhe interesave tona kombëtare.
Shqiptarët, kudo që jetojnë, kanë arsye dhe përgjegjësi të ndërtojnë ura bashkëpunimi, të forcojnë lidhjet ndërmjet tyre dhe të kontribuojnë së bashku për një të ardhme evropiane, të sigurt dhe me perspektivë.
Gëzuar 22 Nëntorin dhe le të na bashkojë gjithmonë fryma e Nëntorit shqiptar!”, ka shkruar Ali Ahmeti.

































