Arrestohet një shtetas zviceran në Mauritius, iu gjet kanabis në valixhe
Një shtetas zviceran është arrestuar në Mauritius, pasi autoritetet zbuluan rreth 20 kilogramë kanabis të fshehur në bagazhin e tij, me një vlerë të përllogaritur prej afro 650 mijë frangash zvicerane.
Sipas mediumit zviceran 20 Minutes, i cili i referohet gazetës mauritiane L’Express, burri u arrestua gjatë kësaj jave në Aeroportin Ndërkombëtar Sir Seewoosagur Ramgoolam.
Droga, e cila ishte fshehur me kujdes mes sendeve personale të udhëtarit, vlerësohet të ketë një vlerë tregu prej 36 milionë rupish mauritiane, apo rreth 647 mijë frangash zvicerane, shkruan 24 heures.
I dyshuari ishte tashmë nën mbikëqyrjen e autoriteteve dhe u ndalua menjëherë pas zbritjes nga aeroplani nga zyrtarët doganorë dhe pjesëtarët e njësisë lokale kundër drogës (ADSU).
Gjatë kontrollit të valixhes, autoritetet zbuluan sasinë e kanabisit, duke konfirmuar dyshimet e mëparshme dhe duke çuar në arrestimin e tij.
Pas arrestimit, policia organizoi një operacion për dorëzimin e kontrolluar të drogës, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e personit që dyshohej se do ta pranonte atë në Mauritius, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, sipas raportimeve, marrësi i dyshuar nuk u paraqit në vendin e takimit të caktuar nga autoritetet.
Hetimet po vazhdojnë në aeroportin e Plaisance, me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm, verifikimin nëse i arrestuari është pjesë e ndonjë organizate kriminale dhe zbardhjen e mënyrës se si droga ka arritur në ishull.
Duke marrë parasysh legjislacionin e rreptë të Mauritiusit dhe politikën e tolerancës zero ndaj narkotikëve, shtetasi zviceran rrezikon një dënim të rëndë.
Ndërkohë, Departamenti Federal i Punëve të Jashtme i Zvicrës (FDFA), i kontaktuar nga mediat zvicerane, ka deklaruar se nuk ka qenë në dijeni të këtij rasti./Telegrafi/





























