Tre persona u vranë dhe një tjetër u plagos gjatë një sulmi me armë zjarri në një festë për pritjen e një foshnjeje, të organizuar të shtunën në mbrëmje në një ambient eventesh në Ohajo, sipas raportimeve lokale.
Të shtënat ndodhën rreth orës 18:00, brenda ambientit “Pandora’s Magical Events Venue”, në adresën 5331 Ridge Road, në Parma të Ohajos, sipas një deklarate të publikuar nga Departamenti i Policisë së Parmës.
Oficerët që mbërritën në vendngjarje konstatuan se katër persona ishin qëlluar me armë zjarri gjatë një “shkëmbimi zjarri”.
Sipas policisë, në vendngjarje u gjetën të vdekur një vajzë 17-vjeçare, një 19-vjeçar dhe një burrë 45-vjeçar.
Scott Traxler, zyrtar për informimin publik në Policinë e Parmës, i tha televizionit FOX 8/WJW se viktima 19-vjeçare ishte babai i fëmijës që ende nuk kishte lindur, ndërsa viktima 45-vjeçare ishte babai i gruas shtatzënë. Policia identifikoi 19-vjeçarin si një prej personave të përfshirë në shkëmbimin e zjarrit, shkruan Fox.
Një viktimë e katërt, një grua 39-vjeçare, pësoi një plagë me armë zjarri në këmbë, e cila nuk konsiderohej kërcënuese për jetën, njoftoi policia.
Policia bëri gjithashtu të ditur se një 29-vjeçar, i dyshuar si i përfshirë në shkëmbimin e zjarrit, u vu në pranga pas të shtënave. Autoritetet nuk e kanë bërë ende publik identitetin e personit të arrestuar dhe as nuk kanë njoftuar për një motiv të mundshëm të ngjarjes.
Traxler i tha Fox News Digital se autoritetet po vijonin verifikimin e detajeve të tjera lidhur me të shtënat. Sipas policisë, në vendngjarje u gjetën disa armë zjarri.
Në një postim në rrjetet sociale, Departamenti i Policisë së Parmës njoftoi se oficerët po hetonin një incident me armë zjarri, ku kishte disa viktima, në bllokun 5300 të Ridge Road.
“Departamenti i Policisë së Parmës u shpreh ngushëllimet më të thella familjeve dhe të afërmve të personave që humbën jetën në këtë ngjarje tragjike”, shkroi departamenti.
“Nuk ka asnjë rrezik për publikun”, shtoi policia. Policia bëri të ditur se familjet e personave të vrarë ishin njoftuar. Hetimet për të shtënat po kryhen nga Byroja e Hetimit e Departamentit të Policisë së Parmës.