Robert Pattinson është shfaqur për herë të parë në publik që prej konfirmimit si James Bond-i i ri, duke u pritur me duartrokitje gjatë një aktiviteti promovues në Londër.
Aktori 40-vjeçar mori pjesë të premten në një event për filmin “The Odyssey”, me regji të Christopher Nolan, në Leicester Square. Ai ishte i shoqëruar nga kolegët Tom Holland, Samantha Norton dhe Himesh Patel.
Gjatë aktivitetit, moderatorja Edith Bowman e uroi publikisht Pattinson për rolin e ri, duke e prezantuar si agjentin e ardhshëm 007. Reagimi i publikut ishte i menjëhershëm, me sallën që shpërtheu në duartrokitje. Aktori e priti vlerësimin me përulësi, duke ulur kokën dhe duke u përgjigjur shkurt: “Faleminderit”.
Për këtë paraqitje, ylli i “Batman” kishte zgjedhur një veshje elegante dhe të thjeshtë, me pulovër gri, xhaketë të zezë dhe xhinse në ngjyrë gri të errët.

Në filmin “The Odyssey”, Pattinson interpreton personazhin Antinous. Gjatë aktivitetit ai mori pjesë edhe në një sesion pyetje-përgjigjesh me Tom Holland, i cili ishte përmendur gjithashtu mes emrave të mundshëm për rolin e James Bond.
Pas muajsh spekulimesh, Amazon MGM Studios konfirmoi më 16 nëntor se Robert Pattinson do të jetë aktori i ri që do të interpretojë agjentin sekret britanik, duke publikuar edhe imazhin e tij në rolin e 007. Ai do të pasojë Daniel Craig, ndërsa filmi i ardhshëm i sagës do të drejtohet nga Denis Villeneuve.

