Fëmijët festojnë Ditën e Alfabetit në Korçë, dhurojnë një album për bibliotekën “Thoma Turtulli”

Arsim | 1 minutë më parë

Në kuadër të 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, fëmijët e Kopshtit Nr. 1 në qytetin e Korçës kanë zhvilluar një aktivitet në ambientet e Bibliotekës së Fëmijëve “Thoma Turtulli”.

Të vegjlit kanë prezantuar shkronjat e alfabetit shqip, ndërsa aktiviteti është shoqëruar edhe me këngë kushtuar gjuhës dhe shkronjave shqipe.

Pjesë e aktivitetit ishte edhe përgatitja e një albumi me shkronjat e alfabetit dhe vizatime të realizuara nga vetë fëmijët. Albumi iu dhurua Bibliotekës së Fëmijëve si një kontribut simbolik për pasurimin e fondit të saj dhe nxitjen e krijimtarisë së të vegjëlve.

“Me rastin e 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, me fëmijët e grupit të tretë kemi përgatitur një album me të gjitha shkronjat e alfabetit. Ky është një punim i krijuar nga vetë fëmijët. Për çdo shkronjë ka një vizatim dhe fjalën që përfaqëson figurën. Është një punë e bukur dhe një krijimtari e shkëlqyer, që i lidh fëmijët më shumë me librin dhe dijen”, u shpreh edukatorja.

Aktivitete të tilla synojnë të përcjellin te brezi i ri dashurinë për gjuhën shqipe, duke i njohur fëmijët që në moshë të hershme me rëndësinë e alfabetit dhe trashëgimisë sonë gjuhësore.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme