Nuk ishte aspak një mbrëmje pozitive për Lionel Messin dhe Inter Miamin. Përveç humbjes së thellë 3-0 ndaj Columbus Crew në ndeshjen e parë të play-offit, ylli argjentinas u përfshi edhe në një episod që ka shkaktuar shumë diskutime.
Në minutat e fundit të pjesës së parë, Messi pati një përplasje me Gonzalo Tapian, pasi ky i fundit tentoi të pengonte ekzekutimin e një rivënieje anësore. Reagimi i argjentinasit ishte i menjëhershëm, duke e goditur kundërshtarin me top në fytyrë.
Arbitri vendosi t’i ndëshkonte të dy lojtarët me karton të verdhë, por ky vendim u kundërshtua nga trajneri i Columbusit, Laurent Courtois, i cili kërkonte përjashtimin e Messit.
Ndërkohë, Columbus Crew mori një fitore bindëse falë golave të Gonzalo Tapias dhe Taha Habroune, duke i dhënë Inter Miamit një goditje të rëndë që në sfidën e parë të fazës eliminatore.
