Sonda BepiColombo ka hyrë në orbitën e Mërkurit pas një udhëtimi tetëvjeçar në hapësirë, njoftoi herët të dielën Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA). Misioni është një sipërmarrje e përbashkët e ESA-së dhe Agjencisë Japoneze të Eksplorimit të Hapësirës (JAXA). Ai u lëshua në vitin 2018 nga Guiana Franceze, me qëllim që të studiojë të gjitha aspektet e Mërkurit, planetit më të afërt me Diellin.
Kështu kërkon të kuptojë më mirë planetin dhe evolucionin e sistemit tonë diellor, shkruan Euronews dhe raporton Koha Jonë. Sipas ESA-së, sonda tashmë është në kontakt me stacionin tokësor dhe ekipet në ESOC po shqyrtojnë telemetrinë. Flight Dynamics ka konfirmuar se ajo ka arritur kapjen orbitale rreth Mërkurit.
Agjencia shtoi se do të japë një përditësim të ri në fillim të javës së ardhshme. Sipas planit të misionit, orbituesit evropian dhe japonez do të ndahen nga njëri-tjetri më 9 dhe 10 dhjetor, ndërsa faza shkencore parashikohet të nisë në prill 2027. ESA e përshkruan BepiColombo si misionin e dytë dhe më të kompleksin që ka orbitur ndonjëherë Mërkurin.
Sipas agjencisë, ky planet i vogël shkëmbor është më i vështirë për t'u arritur nga një orbitues sesa Saturni. Ai mbetet planeti më pak i eksploruar i sistemit diellor të brendshëm. Mërkuri është planeti më i vogël i sistemit tonë diellor dhe përjeton luhatje ekstreme të temperaturës, nga 430 gradë Celsius deri në minus 180 gradë. Sonda Mariner 10 e NASA-s ishte anija e parë hapësinore që vizitoi Mërkurin, pas lëshimit të saj në vitin 1973.
