Operatori i telefonisë mobile MTel, i cili është pjesë e grupit Telekom Srbija, po synon zgjerimin e pranisë së tij në tregun zviceran, me objektivin që deri në fund të vitit 2027 të arrijë në 100 mijë klientë.

Sipas një artikulli të publikuar nga gazeta zvicerane “Blick”, kompania aktualisht ka rreth 20 mijë klientë në Zvicër, ndërsa synon ta pesëfishojë këtë numër brenda pak më shumë se një viti.


Menaxheri i MTel për Zvicër, Mirza Tahiroviq, 42 vjeç, ka deklaruar për “Blick” se kompania tashmë ka përfunduar fazën e njohjes dhe testimit të tregut dhe se tani po synon një zgjerim më të fuqishëm.

“Ne synojmë të thyejmë shifrën e 100 mijë klientëve deri në fund të vitit 2027”, ka deklaruar Tahiroviq.

MTel Zvicër është regjistruar në regjistrin tregtar zviceran në vitin 2021 dhe është degë e MTel Austria, e cila në anën tjetër është pjesë e Telekom Srbija, kompani në të cilën shteti serb është aksionar shumicë.

Një nga faktorët që po e ndihmon MTel-in të tërheqë klientë në tregun zviceran janë çmimet konkurruese.

Revista zvicerane e konsumatorëve “K-Tipp” së fundmi e ka veçuar kompaninë për ofertën e saj të lirë në rrjetin e operatorit Salt. Sipas artikullit të “Blick”, abonimi më i lirë i MTel kushton vetëm 7.95 franga zvicerane në muaj.

Eksperti i telekomunikacionit në platformën e krahasimit të çmimeve Moneyland.ch, Ralf Beyeler, ka thënë se MTel fillimisht ka tërhequr kryesisht klientë me prejardhje nga Ballkani, të cilët udhëtojnë shpesh drejt vendeve të rajonit.

Megjithatë, sipas tij, kompania tashmë është bërë tërheqëse edhe për konsumatorë të tjerë.

Menaxheri Tahiroviq ka thënë se synimi i kompanisë është që të jetë zgjedhja e parë për klientët me prejardhje nga vendet e ish-Jugosllavisë, por ka shtuar se shërbimet e saj u drejtohen të gjithë konsumatorëve në Zvicër.

Beyeler ka vlerësuar se MTel është ndër operatorët më të lirë në tregun zviceran, veçanërisht përmes ofertave promocionale, si në abonimet mujore ashtu edhe në shërbimet e roamingut.

Ai ka vënë në dukje se tre operatorët kryesorë të Zvicrës – Swisscom, Sunrise dhe Salt – kanë rritur çmimet gjatë periudhës së fundit, ndërsa konsumatorët zviceranë, sipas tij, shpesh hezitojnë të ndërrojnë operatorin edhe kur ekzistojnë mundësi për të kursyer para.

Megjithatë, eksperti e ka cilësuar objektivin e MTel për të arritur në 100 mijë klientë deri në fund të vitit 2027 si shumë ambicioz.

Përveç Zvicrës, MTel po synon zgjerimin edhe në tregje të tjera. Sipas raportimit të “Blick”, kompania ka plane për të rritur aktivitetin në Gjermani dhe Austri, por edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada.

Për të rritur praninë në Zvicër, MTel ka intensifikuar marketingun digjital, duke përfshirë edhe reklamat në aplikacione të bazuara në inteligjencën artificiale.

Kompania po promovon shërbimet e saj edhe përmes videove humoristike të personalitetit të internetit Mama Balkan, e cila ka më shumë se 100 mijë ndjekës dhe njihet për videot ku përgatit ushqime tradicionale ballkanike.

Tahiroviq ka shpjeguar se çmimet e ulëta të kompanisë lidhen edhe me kushtet e favorshme që ajo përfiton nga përdorimi i rrjeteve të Telekom Srbija, si dhe me faktin se është e gatshme të operojë me marzhe më të ulëta fitimi sesa konkurrentët zviceranë.

Zgjerimi i MTel në tregun zviceran vjen në një kohë kur kompania amë, Telekom Srbija, vazhdon të jetë subjekt i diskutimeve për lidhjet e saj me pushtetin politik në Serbi.

Kompania është akuzuar vazhdimisht për lidhje të afërta me partinë e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ndërsa shteti serb mbetet aksionari shumicë i saj.

I pyetur nga “Blick” nëse zhvillimet politike në Serbi mund të ndikojnë në aktivitetin e MTel në Zvicër, Tahiroviq ka mohuar një mundësi të tillë./Telegrafi.