Ministri britanik për Marrëdhëniet Ndërqeveritare dhe Marrëdhëniet Evropiane, Hamish Falconer, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili në disa raste i është referuar presidentit rus Vladimir Putin si “miku im”.
Në një intervistë për televizionin Sky News, Falconer përdori tone të ashpra ndaj kreut të Kremlinit, duke e cilësuar atë si “kasap” dhe duke dënuar luftën ruse kundër Ukrainës.
Sipas ministrit britanik, konflikti përbën një agresion brutal dhe të paligjshëm.
Falconer theksoi se lufta ka shkaktuar pasoja të jashtëzakonshme dhe se koston më të madhe po e paguan vetë Ukraina, por edhe shoqëria ruse.
Ai u shpreh se qytetarët rusë po përballen me vështirësi të mëdha si pasojë e këtij konflikti, ndërsa brezi i ri po humbet shumë mundësi për të ardhmen.
Ministri britanik ishte i prerë edhe kur u pyet nëse do ta konsideronte ndonjëherë Putinin mik.
“Jo, Vladimir Putini nuk do të ishte miku im dhe ai nuk është mik as i Mbretërisë së Bashkuar”, deklaroi Falconer.
I pyetur nëse Londra do t’ia bëjë të qartë presidentit amerikan qëndrimin e saj për këtë çështje, ministri nënvizoi se kryeministri britanik mban kontakte të vazhdueshme me Trumpin.
Sipas tij, gjatë këtyre komunikimeve, kryeministri nuk heziton të shprehë qëndrimin e vendosur të Mbretërisë së Bashkuar kundër pushtimit rus të Ukrainës dhe të përcjellë shqetësimet e Londrës për luftën.










