Ilir Meta ka reaguar nga paraburgimi 313 lidhur me kursin e euros dhe buxhetin e vitit 2027, duke akuzuar qeverinë për përllogaritje të pasakta dhe propagandë me atë që e cilëson si “buxheti historik”.
Në reagimin e tij, Meta kundërshton shifrat e përdorura nga qeveria, duke theksuar se për hartimin e buxhetit është marrë si referencë kursi prej 96 lekësh për një euro, ndërkohë që aktualisht monedha europiane ka zbritur në rreth 89 lekë.
Ish-presidenti kritikon gjithashtu propagandën për një buxhet që arrin në 10 miliardë euro, duke argumentuar se zhvlerësimi i euros nuk përkthehet në rritje të mirëqenies ekonomike dhe as në më shumë të ardhura për qytetarët.
Sipas Metës, pavarësisht shifrave që prezanton qeveria, shumica e shqiptarëve vijojnë të përballen me paga dhe pensione të ulëta, shërbime publike të dobëta dhe një kosto të lartë jetese.
Reagimi i Metës:
Duke e uruar lekun që po ia ul kokën euros, që ka ndryshuar prefiksin dhe ka zbritur në 89 lekë, është interesante të shohim se me çfarë kursi do të hyjmë në 1 janar 2027, kur nis zbatimi i buxhetit të ri të shtetit.
Qeveria i ka bërë “llogaritë” me 96 lekë për 1 euro, ndërkohë që sot euro është 89 lekë.
Pra, buxheti nis me një mashtrim në përllogaritje, përpara se të nisë zbatimi.
Por mashtrimi i dytë është propaganda me “buxhetin historik” prej 10 miliardë eurosh.
Pse kjo shifër është bërë frontline e propagandës, kur buxheti zbatohet në lekë dhe euro sot vlen shumë më pak se në vitin 2013, kur kursi ishte rreth 140 lekë?
Një buxhet që duket historik në euro, por që nuk sjell më shumë para për 95% të shqiptarëve, të cilët përballen me paga dhe pensione të ulëta, shërbime të dobëta dhe kosto të lartë jetese.
Kush do të mbajë përgjegjësi për këto dy mashtrime publike?
Pavarësisht anulimit të Samitit të NATO-s, pikiata e euros vazhdon, sepse Samiti i Arubës vijon punimet e veta!