Bisedimet e OKB-së për klimën dështojnë “me sukses” pas 2 javë përpjekjesh, BE dhe shtetet e tjera refuzojnë marrëveshjen

22/11/2026 18:06

Konferenca e 31-të e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP31), e mbajtur në Antalia të Turqisë nga 9 deri më 22 nëntor 2026, përfundoi me dështim të plotë, pasi gati 200 shtete nuk arritën të bien dakord për një marrëveshje përfundimtare.

Pas më shumë se dy javësh negociata intensive dhe dy ditësh zgjatje përtej afatit zyrtar, duke e bërë këtë samitin më të gjatë në historinë e konferencave klimatike të OKB-së, bisedimet u mbyllën pa dakordësi, pasi Bashkimi Evropian dhe disa vende të tjera refuzuan projektmarrëveshjen e fundit.

Një nga arsyet kryesore të bllokimit ishte heqja e çdo përmendjeje për largimin nga lëndët djegëse fosile (nafta, gazi dhe qymyri) në draftin përfundimtar. Vende të fuqishme prodhuese të naftës, si Arabia Saudite dhe Rusia, kundërshtuan ashpër përfshirjen e zotimeve për braktisjen e karburanteve fosile, duke këmbëngulur në teknologjitë e kapjes së karbonit dhe në të drejtën e secilit shtet për të zgjedhur burimet e veta energjetike.

Nga ana tjetër, Ministri irlandez i Klimës, Darragh O’Brien, i cili flet në emër të presidencës së radhës të Bashkimit Evropian, e quajti të papranueshëm një dokument klimatik që nuk përmend fare lëndët djegëse fosile, duke deklaruar kundërshtimin e fortë të BE-së. Përfaqësuesit evropianë akuzuan vendet prodhuese të naftës se morën peng bisedimet.

Një tjetër pikë e nxehtë e dështimit ishte financimi klimatik. Vendet e varfra dhe shtetet ishullore më të prekura nga katastrofat natyrore kërkuan garanci të qarta financiare për t’u përshtatur me ngrohjen globale. Edhe pse drafti i refuzuar bënte thirrje për trefishimin e fondeve të përshtatjes deri në vitin 2035 (rreth 120 miliardë dollarë), ai nuk përcaktonte një bazë të qartë llogaritjeje dhe as shifra të detyrueshme.

Mungesa e Shteteve të Bashkuara në bisedime, pas tërheqjes së administratës amerikane nga traktati klimatik i OKB-së, krijoi një boshllëk të madh financiar që as Kina dhe as Evropa, e përballur me presione ekonomike dhe luftën në Ukrainë, nuk e mbuluan dot.

Top Channel