Franca miraton ligjin për përdorimin e armëve nga policia, e majta e kundërshton: Po jepni leje për të vrarë. E çojmë në Kushtetuese
Senati francez ka miratuar një ligj të ri që prezumon ligjshmërinë e përdorimit të armëve të zjarrit nga policia gjatë ushtrimit të detyrës, përveç rasteve kur paraqiten prova të kundërta. Nisma ka shkaktuar reagime të forta nga e majta politike, organizatat për të drejtat e njeriut dhe aktivistët, të cilët e cilësojnë atë si një dhënie “leje për të vrarë”. (Foto: REUTERS)
Ligji u miratua me 205 vota pro dhe 110 kundër në dhomën e lartë të Parlamentit francez. Ai parashikon që efektivët që përdorin armët e zjarrit të përfitojnë nga prezumimi i ligjshmërisë së veprimit të tyre, përveç rasteve kur ka prova që dëshmojnë të kundërtën.
Ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez, argumentoi se ligji synon t’u garantojë policëve mbrojtje ligjore të përshtatur me kushtet e vështira dhe rreziqet me të cilat përballen gjatë ndërhyrjeve.
Por kundërshtarët paralajmërojnë se kjo masë mund të rrisë pandëshkueshmërinë e policisë dhe ta bëjë më të vështirë për familjet e viktimave të kërkojnë drejtësi. Grupet parlamentare të së majtës kanë bërë të ditur se do ta dërgojnë ligjin në Këshillin Kushtetues për shqyrtim, në përpjekje për ta bllokuar.
Debati zhvillohet në një klimë tensionesh për shkak të akuzave të përsëritura për dhunë dhe abuzim policor në Francë, veçanërisht ndaj personave me origjinë afrikane dhe arabe.
Një nga rastet më të njohura është vrasja e 17-vjeçarit Nahel Merzouk në vitin 2023, nga një efektiv policie gjatë një kontrolli rrugor, ngjarje që shkaktoi protesta dhe trazira në disa qytete franceze.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



