Prokuroria e Elbasanit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore kanë sekuestruar rreth 400 gramë kokainë gjatë kontrolleve në dy banesa në Gramsh, ku jetonin persona që ndodheshin nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Sipas hetimeve, dy shtetasit, me inicialet T.H. dhe R.H., dyshohet se pavarësisht masës së sigurisë, vijonin aktivitetin e shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Kontrollet u ushtruan në banesat e tyre, ku u zbulua dhe u sekuestrua sasia e kokainës. Operacioni vijon, ndërsa hetimet janë zgjeruar edhe ndaj efektivëve të policisë zonale.
Oficerët dyshohen për shpërdorim detyre, pasi, sipas hetuesve, nuk kanë kryer kontrollet e nevojshme për të verifikuar nëse dy personat respektonin masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Njëri prej tyre rezulton të jetë përfshirë edhe më parë në veprimtari të dyshuara të shpërndarjes së lëndëve narkotike.

