Një shpërthim i fuqishëm, i ndjekur nga një zjarr, tronditi mbrëmjen e së shtunës banorët e një pallati në Menziken, Zvicër. Ngjarja shkaktoi panik dhe banorët dolën me nxitim nga ndërtesa; një person pësoi djegie të konsiderueshme dhe u transportua me helikopter drejt spitalit.
Sipas dëshmive të publikuara nga media zvicerane 20 Minuten, shpërthimi ndodhi në një garazh individual të pallatit shumëkatësh. Fuqia e tij ishte e tillë që porta e garazhit u shkëput nga vendi, ndërsa më pas shpërtheu zjarri. Një prej të parëve në vendngjarje, 47-vjeçari Viliam, tentoi të shuante flakët me një fikëse dhe tregoi: “Zjarri po bëhej gjithnjë e më i madh. Fillimisht nuk mund t’u besoja syve për atë që po shihja.”
Një banore 39-vjeçare tha se dëgjoi dy shpërthime të forta, doli nga apartamenti pa xhaketë dhe u detyrua të qëndrojë për orë të tëra jashtë derisa zjarrfikësit i dhanë një batanije. Dëshmia më tronditëse erdhi nga Fadili, 49 vjeç, banor i katit të tretë, i cili tha se po kthehej nga një shëtitje rreth orës 18:30 kur ndodhi shpërthimi, dhe më pas një tjetër. Ai përshkroi se reja e tymit arrinte deri në katin e tij dhe dëgjoi britma: “Banoja në katin e tretë dhe reja e tymit arrinte deri aty. Më pas dëgjova britma. Tri herë dikush kërkoi ndihmë.” Fadili tha se skenat i rikthyen kujtimet e luftës në Kosovë dhe tha: “U ndjeva sikur isha sërish në atë kohë. Askush nuk e dinte se çfarë po ndodhte. Të gjithë ishin në panik. Britmat dukeshin sikur po dëgjoje dikë në momentet e fundit të jetës.”
Pak minuta pas shpërthimit mbërritën zjarrfikësit dhe ambulanca. Një burrë me djegie të shumta mori ndihmën e parë në vendngjarje dhe u transportua me helikopter nga shërbimi i shpëtimit ajror Alpine Air Ambulance drejt spitalit; Fadili raportoi se “Është djegur nga koka te këmbët.” Policia njoftoi se shkaku i saktë i shpërthimit dhe zjarrit mbetet i paqartë dhe po hetohet nga specialistët.
