Nga Erion Braçe-
ERION, KËTË HERË E KE GABIM!
Zhaneta Beqiri është gruaja në krye të shërbimit publik të çerdheve dhe kopshteve në qytetin e Tiranës.
Një shërbim që, me plot gojën, e quaj të vetmin brand publik në këtë qytet. Ka arritur të konkurrojë e ta mundë shërbimin privat në këtë fushë. Besoj se Bashkia e Tiranës e ka krenari këtë brand publik.
Zhanetën e njoh vetëm në punë. Nuk kam pasur njohje personale me të gjatë këtyre 13 viteve, kur ajo ka drejtuar këtë shërbim. E njoha gjatë këtyre 20 muajve që punoj në Tiranë. E kam gjetur në çerdhe e kopshte, jo në zyrë. E kam parë krejt rastësisht në “Irfan Tomini”, “Vasil Shanto”, në zonën e Shushicës, në ish-Bllok dhe te “1 Maji”. Atje ishte me fëmijët, duke i mbajtur në krahë e duke luajtur me ta, me edukatoret, kuzhinieret dhe prindërit.
Nuk e kam gjetur në orën 11:00, 12:00 apo 13:00, por që në orën 8:00, 8:05, 8:10 e 8:15 të mëngjesit, në punën e saj, pa e ditur fare për praninë time. Unë mbetesha i habitur nga përkushtimi i saj dhe kujdesi për higjienën e deri te niveli i muzikës në mjediset e fëmijëve.
Nëse sot çerdhet dhe kopshtet private mbyllen njëri pas tjetrit dhe janë tkurrur shumë, kjo ndodh edhe për shkak të këtij brandi publik: të infrastrukturës dhe, mbi të gjitha, të kujdesit maksimal të çdo punonjësi publik në këtë shërbim – edukatoreve, mësueseve ndihmëse, kuzhiniereve, sanitareve, psikologeve dhe kësaj gruaje të veçantë, në krye të tyre.
Sot në mëngjes, një grua, një nënë, më shkroi se Zhaneta Beqiri ishte pushuar nga puna. Më bëri me dije se ky është një gabim dhe një dëm i madh që po i bëhet këtij shërbimi e, mbi të gjitha, fëmijëve. E kuptova përmasën e dëmit kur kontrollova mesazhet e njëpasnjëshme në telefon dhe në rrjetet sociale.
Prindërit ua kanë besuar fëmijët këtij shërbimi dhe njerëzve që e ngritën dhe e kthyen në brand publik. Nuk mund të luhet me ta!
Ndaj do t’i kërkoja publikisht kryetarit të Bashkisë dhe çdo zyrtari tjetër nën varësinë e tij: Kthejeni pas atë vendim!
Për cilëndo arsye, ai është i padrejtë.
Nuk dua t’u besoj dhe as i marr në konsideratë ato që po dëgjoj. Mua më vlen puna dhe shërbimi ndaj njerëzve në këtë qytet. Punën e kam parë me sytë e mi dhe vlerësimin për të e kam marrë nga mijëra sy të tjerë: të fëmijëve dhe prindërve të lumtur!
