Makth për Désiré Doué, pas dëmtimit të rëndë, tentojnë t'i grabisin banesën

Makth për Désiré Doué, pas dëmtimit të rëndë, tentojnë t'i grabisin banesën

19:36, 22/11/2026

Një fundjavë për t'u harruar për Désiré Doué. Talenti i Paris Saint-Germain është përballur me dy ngjarje të pakëndshme brenda pak orësh: fillimisht një dëmtim të rëndë në gju, që i ka mbyllur para kohe sezonin, dhe më pas një tentativë grabitjeje në banesën e tij.

Futbollisti 21-vjeçar pësoi këputjen e ligamentit të kryqëzuar të përparmë në gjurin e djathtë gjatë fitores 3-2 të PSG-së ndaj Nice. Doué kishte arritur të shënonte golin që i dha përkohësisht avantazhin skuadrës pariziene, por më pas u detyrua të largohej nga fusha me barelë dhe mes lotësh.

Ekzaminimet mjekësore konfirmuan shkallën e rëndë të dëmtimit, që do ta mbajë jashtë fushave për të paktën gjashtë muaj. Kështu, për talentin francez sezoni konsiderohet i përfunduar para kohe, ndërsa PSG humbet një prej futbollistëve të rëndësishëm të repartit ofensiv.

Por problemet nuk përfunduan me dëmtimin. Sipas raportimit të gazetës franceze “Le Parisien”, në kthimin nga transferta e Nicës, Doué gjeti xhandarmërinë pranë banesës së tij në Orgeval, në departamentin e Yvelines.

Gjatë natës, disa persona të paidentifikuar dyshohet se kishin hyrë në oborrin e pronës së futbollistit, por ishin larguar pasi kishin kuptuar se shtëpia ishte e banuar. Forcat e rendit ndërhynë në vendngjarje, por nuk u konstatuan shenja të thyerjes së dyerve apo dritareve.

Kështu, përfaqësuesi i Francës, i cili numëron 20 ndeshje me kombëtaren, po kalon një nga momentet më të vështira të karrierës së tij të re. Përveç mungesës së gjatë nga futbolli, tashmë duhet të përballet edhe me shqetësimin e krijuar nga tentativa për hyrje të paligjshme në banesën e tij.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco