Përmes një postimi në Facebook, Pacolli ka bërë të ditur se kontrollet janë zhvilluar në Mokna, Lugun e Butë dhe Corrovodë, në zonat ku frekuentojnë përdoruesit e motoçikletave.

Ajo ka theksuar se qarkullimi i pakontrolluar i mjeteve motorike dëmton vegjetacionin, shkakton erozion të tokës, shqetëson kafshët e egra dhe ndot mjedisin përmes gazrave të shkarkimit, zhurmës dhe mbeturinave.

Gjatë këtij aktiviteti, sipas Pacollit, janë shqiptuar vërejtje për shkeljet e evidentuara.

Ministrja ka paralajmëruar se kontrollet do të vazhdojnë dhe se ndaj shkelësve do të ndërmerren masa ligjore.

“Vlerat natyrore të Moknës dhe të gjithë Parkut Kombëtar ‘Bjeshkët e Nemuna’ duhet të mbrohen. Nuk do të lejojmë që zonat tona natyrore të shndërrohen në pista për gara të cilat dëmtojnë mjedisin”, ka shkruar Pacolli.