Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, ka shprehur zhgënjimin e tij për dështimin e negociatave në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, COP31, e zhvilluar në Antalia të Turqisë. Pas dy javësh diskutimesh, përfaqësuesit e rreth 200 vendeve nuk arritën të miratonin një deklaratë të përbashkët për masat kundër krizës klimatike.
“Ndaj zhgënjimin e thellë të të gjithë atyre që prisnin që qeveritë të reagonin në përputhje me urgjencën që kërkon kriza klimatike”, deklaroi Guterres në një reagim të publikuar pas përfundimit të konferencës.
Kreu i OKB-së theksoi se vendimet për klimën nuk duhet të diktohen nga interesat e atyre që përfitojnë nga shkatërrimi i mjedisit. Ai paralajmëroi gjithashtu për pasojat e vazhdimit të përdorimit të lëndëve djegëse fosile.
“Varësia e vazhdueshme nga qymyri, nafta dhe gazi po ushqen kaosin klimatik, duke i ekspozuar ekonomitë ndaj goditjeve të çmimeve dhe duke cenuar sigurinë energjetike”, u shpreh Guterres.
Ai kërkoi reduktim të shpejtë dhe të ndjeshëm të emetimeve gjatë kësaj dekade, me synimin për të kufizuar tejkalimin e pragut prej 1,5 gradësh Celsius të ngrohjes globale. Guterres u bëri thirrje vendeve me emetime të larta të marrin drejtimin e përpjekjeve, ndërsa shteteve të zhvilluara të përmbushin angazhimet për financimin e klimës.
Një nga pengesat kryesore në negociata ishte pakti i propozuar nga bashkëorganizatorët, Turqia dhe Australia, i njohur si “Antalya Pact”. Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe disa vende të tjera e kundërshtuan dokumentin, pasi ai nuk përmbante një referencë të qartë për eliminimin gradual të përdorimit të lëndëve djegëse fosile.
Përplasjet mes delegacioneve u përqendruan edhe te ritmi i përshpejtimit të elektrifikimit në nivel global dhe shpërndarja e fondeve të premtuara për vendet në zhvillim, të cilat përballen me pasoja gjithnjë e më të rënda nga ndryshimet klimatike.
Mbyllja e COP31 pa një deklaratë të përbashkët tregon vështirësitë për të arritur një qëndrim të përbashkët ndërkombëtar mbi masat konkrete që duhen ndërmarrë për të frenuar ngrohjen globale.
#COP31 #Guterres #KrizaKlimatike #OKB #NdryshimetKlimatike

