Një 31-vjeçare shqiptare ka humbur jetën në një aksident të rëndë automobilistik në Itali, ndërsa tre fëmijë që udhëtonin me të kanë mbetur të plagosur. Në gjendje më të rëndë shëndetësore është vajza e saj 4-vjeçare, e cila është transportuar me helikopter drejt spitalit të Udines.
Viktima është identifikuar si Emanuela Shahini. Aksidenti ndodhi rreth orës 11:00 të mëngjesit të së dielës, në rrugën Via Vittorio Emanuele, në qytetin Prata di Pordenone.
Sipas mediave italiane, 31-vjeçarja po udhëtonte me një automjet tip “Ford Fiesta” drejt Villanova-s, ku kishte planifikuar të merrte pjesë në një festë ditëlindjeje së bashku me fëmijët. Për arsye që ende nuk janë përcaktuar, makina doli nga rruga gjatë marrjes së një kthese, u përmbys dhe u përplas me forcë me një mur.
Goditja ishte fatale për drejtuesen, e cila mbeti e bllokuar brenda automjetit. Ekipet e emergjencës, zjarrfikësit dhe personeli mjekësor mbërritën në vendngjarje dhe u përpoqën ta shpëtonin, por 31-vjeçarja ndërroi jetë në vend.
Në makinë ndodheshin edhe tre fëmijë, dy prej të cilëve fëmijët e vetë Emanuelës. Vajza e saj 4-vjeçare pësoi dëmtime të rënda dhe u transportua me helikopter në spitalin e Udines, ku po merr trajtim mjekësor. Dy fëmijët e tjerë u dërguan në spitalin e Pordenones.
Ndërkohë, karabinierët kanë nisur hetimet për të rindërtuar dinamikën e aksidentit dhe për të përcaktuar shkaqet që çuan në daljen e automjetit nga rruga.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa gjendja e tre fëmijëve të plagosur mbetet në vëmendje.

