Shqipëria ka bërë gjithçka për ta bindur Brajan Grudën, por dëshira e tij gjithnjë ka qenë Gjermania, kështu ka deklaruar presidenti i FSHF-së Armand Duka.

Duka në një intervistë për “Top Channel” ka komentuar se si Shqipëria e humbi garën për Grudën, i cili ishte lojtari më i dalluar te Gjermania në ndeshjet e nëntorit.


Sidoqoftë, Duka thotë se “Kuq e Zinjtë” kanë bërë gjithçka dhe që tani lojtari i Leipzigut është thjesht një çështje e mbyllur.

“Kualiteti i Brajan Grudës nuk ka nevojë për koment nga ana ime. Është një futbollist me shumë cilësi, i cili ka spikatur prej kohësh në kombëtaret e moshave të Gjermanisë. Ka luajtur me U19, U21 dhe madje edhe kundër Shqipërisë në një ndeshje miqësore”.

“Padyshim që, duke qenë shqiptar me prindër shqiptarë, pavarësisht se ka lindur në Gjermani, kemi pasur shumë dëshirë ta kishim në skuadrën tonë. Kemi provuar, por zgjedhja e tij ka qenë Gjermania dhe tashmë ky është një kapitull i mbyllur”.

“Ai është paraqitur me Gjermaninë dhe nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’i urojmë suksese në karrierën e tij sportive”.

“Po, po. Në çdo kohë i kemi ofruar mundësinë për të përfaqësuar Shqipërinë, por vendimi i tij ka qenë që të luajë për Gjermaninë”, nënvizoi Duka.

Kësisoj, Shqipërisë i mbetet të provojë lojtarë të tjerë të rritur në diasporë që aktualisht përfaqësojnë kombëtare tjera./Telegrafi/