Një shpërthim i fuqishëm në një anije ruse të ankoruar në portin e bazës detare të Bengazit në Libi dyshohet se është shkaktuar nga një sulm me dron. Lajmi është bërë i ditur nga qeveria lindore e Libisë. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës, ndërsa anija ishte ndalur në port për t'u furnizuar me karburant dhe materiale të nevojshme, gjatë udhëtimit të kthimit drejt Rusisë. Sipas mediave shtetërore libiane, të cilat citojnë autoritetet lindore, zona ku ndodhi shpërthimi u sigurua menjëherë dhe nuk raportohet për persona të lënduar apo viktima. Deri më tani, Moska nuk ka bërë asnjë reagim zyrtar lidhur me incidentin. Pamjet satelitore të kompanisë Planet Labs PBC, të analizuara nga BBC Verify, tregojnë një anije të përfshirë nga flakët në portin e Bengazit. Në një imazh tjetër, të realizuar disa orë më vonë, e njëjta anije duket pjesërisht e fundosur. Edhe videot e publikuara në rrjetet sociale dhe të verifikuara nga BBC tregojnë momentet kur anija përfshihet nga flakët dhe një re e madhe tymi, ndërsa në zonë është ende errësirë. Qeveria e Stabilitetit Kombëtar (GNS), e cila ushtron kontroll në Libinë lindore, bëri të ditur se anija ruse po përdorte portin e Bengazit në bazë të një marrëveshjeje ekzistuese detare. Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar origjinën e sulmit të dyshuar dhe personat përgjegjës, ndërsa kanë konfirmuar se po bashkëpunojnë me palën ruse.