Amerikanët duhet të presin më shumë ndërprerje dhe probleme teknologjike, ndërsa kompanitë dhe agjencitë qeveritare zëvendësojnë sistemet e vjetruara, tha të dielën zyrtari më i lartë i inteligjencës amerikane.
“Dhe si pjesë e këtij procesi të vazhdueshëm përmirësimi, do të kemi defekte, boshllëqe dhe ndërprerje të shërbimeve. Kjo do të ndodhë”, tha Drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Jay Clayton, në emisionin “State of the Union” të CNN-it.
Clayton u intervistua të dielën në mëngjes në disa programe lajmesh, disa ditë pasi presidenti Donald Trump ia atribuoi një sërë defektesh të fundit teknologjike përmirësimit të sistemeve teknologjike të kompanive. Clayton tha se këto përmirësime ishin të nevojshme për të rritur performancën dhe sigurinë kibernetike, pasi përparimet teknologjike po ushtrojnë presion mbi sistemet e vjetra, shkruan Reuters.
Një sërë defektesh teknologjike këtë muaj shkaktuan ndërprerje në sisteme kritike amerikane, përfshirë pezullimin e fluturimeve ajrore në të gjithë vendin, një ndërprerje të shërbimeve të Microsoft-it që preku postën elektronike, një defekt teknik që ndikoi në disa banka të mëdha dhe një ndërprerje të përkohshme të rrjetit të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA).
Duke folur në emisionin “This Week” të ABC-së, Clayton përsëriti deklaratat e tij të mëparshme se këto ndërprerje nuk ishin rezultat i veprimeve të koordinuara apo të sponsorizuara nga shtete, por u shkaktuan nga përmirësimet teknike.
Clayton nuk pranoi të diskutonte hollësi lidhur me raportimet e veçanta për sulme kibernetike ndaj FBI-së dhe Departamentit të Bujqësisë, duke thënë se pret që hetuesit të japin përgjigje “në kohën e duhur”.