Anija luftarake ruse fundoset në Libi, pretendime të pakonfirmuara se dronët u nisën nga Shqipëria

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 23.11.2026, 01:12

Një anije luftarake ruse është goditur nga dronë detarë në portin e Bengazit, në Libi, duke përfunduar e përmbysur dhe pothuajse tërësisht e fundosur. Ngjarja ndodhi të dielën, më 22 nëntor, ndërsa sulmi dyshohet se është kryer nga forcat ukrainase.

Anija e identifikuar si “Merkury”, një korvetë e Marinës Ruse, ndodhej në bazën detare të Bengazit për t'u furnizuar me karburant dhe pajisje. Sipas dy zyrtarëve ushtarakë libianë që folën për agjencinë Associated Press, drejt saj u lëshuan gjashtë dronë detarë. Katër prej tyre u kapën dhe u shkatërruan, ndërsa dy të tjerë arritën të godisnin anijen, duke shkaktuar shpërthim dhe zjarr.

Pamjet satelitore të publikuara nga Reuters tregojnë se pjesa më e madhe e anijes ishte përmbysur dhe fundosur, ndërsa vetëm një pjesë e saj mbetej mbi ujë. Dhjetë persona, rusë dhe libianë, raportohet se kanë marrë lëndime të lehta.

Ndërkohë, një pretendim i veçantë ka tërhequr vëmendjen edhe për Shqipërinë. Llogaritë OSINT “Visioner” dhe “Clash Report” në platformën X kanë raportuar se dronët mund të jenë nisur nga territori shqiptar, duke përshkuar më shumë se 800 kilometra në Mesdhe përpara se të godisnin anijen ruse.

Megjithatë, ky pretendim mbetet i pakonfirmuar dhe deri tani nuk janë publikuar prova të pavarura që të vërtetojnë se mjetet detare janë nisur nga brigjet shqiptare. Ndërsa AP, duke cituar zyrtarë ushtarakë libianë, raporton një version tjetër: se dronët u nisën nga një bazë e kontrolluar nga forcat ukrainase në Libinë perëndimore.

Autoritetet në Libinë lindore kanë njoftuar nisjen e një hetimi të përbashkët me Rusinë për të përcaktuar origjinën e sulmit dhe përgjegjësit. Deri më tani, as Ukraina dhe as Rusia nuk kanë dhënë një reagim zyrtar për ngjarjen.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit