Një tufë flokësh të presidentit të parë amerikan George Washington… shiten në ankand për 4 mijë dollarë Mbi 12 mijë persona janë evakuuar nga arena Co-op Live në Manchester të Anglisë, pasi një substancë e panjohur dyshohet se është lëshuar në mesin e publikut gjatë koncertit të reperit amerikan Don Toliver. Një person është dërguar në spital, ndërsa dhjetëra të tjerë janë kontrolluar nga ekipet mjekësore.
Ngjarja ka ndodhur të dielën mbrëma, më 22 nëntor, drejt fundit të koncertit të reperit amerikan, duke shkaktuar shqetësim dhe panik në mesin e mijëra të pranishmëve.
Sipas policisë së Greater Manchester, alarmi është dhënë pak pas orës 22:00, pas raportimeve se disa persona në turmë po përjetonin probleme shëndetësore si pasojë e një substance të panjohur. Fillimisht, autoritetet dyshuan se bëhej fjalë për gaz lotsjellës, megjithatë substanca ende nuk është identifikuar zyrtarisht.
Shërbimi i Ambulancës në veriperëndim të Anglisë bëri të ditur se më shumë se 50 persona janë vlerësuar nga ekipet mjekësore në vendin e ngjarjes. Disa prej tyre kanë raportuar simptoma në sy dhe vështirësi në frymëmarrje.
Një person është transportuar në spitalin Manchester Royal Infirmary për trajtim të mëtejshëm, ndërsa është ndërmarrë edhe një proces dekontaminimi si masë paraprake. Policia konfirmoi se mbi 12 mijë pjesëmarrës janë evakuuar në mënyrë të sigurt nga arena.
“Prioriteti ynë ishte të siguronim sigurinë e çdo personi që ndodhej në koncert”, deklaroi Steph Parker, zyrtare e lartë e policisë së Greater Manchester. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar se çfarë substance është përdorur dhe si është futur ajo në mesin e publikut.
Edhe drejtuesit e arenës Co-op Live kanë konfirmuar se janë duke bashkëpunuar me policinë për zbardhjen e plotë të incidentit. Lidhur me ngjarjen kanë raportuar edhe mediat ndërkombëtare Reuters, The Guardian, Sky News dhe ITV News.
Top Channel