Panik në koncertin e Don Toliver në Manchester, evakuohen mbi 12 mijë persona pas dyshimeve për gaz lotsjellës Një mashtrim i sofistikuar në Britaninë e Madhe kishte si objektiv përvetësimin e një prone luksoze në Londër, me vlerë rreth 10 milionë paund, që dikur i përkiste Saadi Gaddafit, djalit të ish-diktatorit libian Muammar Gaddafi.
Protagonisti i skemës është 60-vjeçari britanik Leslie Gayle-Childs, i cili përdori identitete të rreme, kompani fiktive dhe një firmë ligjore të sajuar për të bindur dy gjyqtarë se kishte të drejta mbi pronën. Mënyra e veprimit ishte e tillë që mashtruesi arriti të siguronte vendime gjyqësore që mund të çonin në transferimin e pronësisë së vilës te një kompani e krijuar prej tij.
Sipas raportimeve të mediave britanike, Gayle-Childs u përfshi në një mosmarrëveshje ligjore mes shtetit të Libisë dhe kompanisë britanike të mbrojtjes General Dynamics UK, së cilës Libia i detyrohej rreth 28 milionë paund për një kontratë të vitit 2008.
Në vitin 2024, gjykata kishte vendosur që kompania të përfitonte të ardhurat nga shitja e pronës për shlyerjen e detyrimit.
Pikërisht në këtë proces ndërhyri Gayle-Childs. Ai krijoi kompani me emra të ngjashëm me atë të shoqërisë që zotëronte vilën, përfshirë Capitana Seas Ltd, si dhe përdori një studio ligjore fiktive me emrin Paine Crow & Partners, duke u paraqitur sikur përfaqësonte interesat e palës libiane. Përmes këtyre dokumenteve dhe identiteteve të rreme, ai arriti të bindte dy gjyqtarë të firmosnin urdhra që mund të mundësonin kalimin e pronës te kompania e tij.
Mashtrimi u zbulua pasi General Dynamics UK kontaktoi drejtpërdrejt autoritetet libiane dhe mori konfirmimin se ato nuk kishin dijeni për procedurat e nisura. Një tjetër gjyqtar e rrëzoi më pas këtë përpjekje, duke e cilësuar çështjen si të pabazuar. Gayle-Childs u urdhërua gjithashtu të paguante 324,522 paund shpenzime gjyqësore.
60-vjeçari nuk ishte i panjohur për drejtësinë britanike. Ai po vuan një dënim prej 14 vjetësh e nëntë muajsh burg për mashtrime të tjera dhe përpjekje për të penguar rrjedhën e drejtësisë, të lidhura me një skemë të mëparshme për përvetësimin e pronave. Që prej vitit 2020, ai ishte i ndaluar të niste procedura gjyqësore në Angli dhe Uells.
Vila ndodhet në zonën luksoze Hampstead Garden Suburb në Londër. Ajo ka tetë dhoma gjumi, pishinë të brendshme, palestër, xhakuzi dhe kinema private. Saadi Gaddafi e kishte blerë pronën në vitin 2009 për rreth 10 milionë paund. Ndërkohë, prona u shit në korrik për rreth 4 milionë paund, pas viteve të tëra në gjendje të amortizuar.
Top Channel