Sot nis funksionimin sistemi i ri i pagesave të menjëhershme (instant payments), i cili do të mundësojë kryerjen e transfertave kombëtare mes institucioneve të ndryshme financiare pothuajse në kohë reale, brenda 10 sekondash. Më parë, transfertat në kohë reale ishin të mundura vetëm brenda të njëjtit institucion financiar; për transfertat ndër-institucionale koha e ekzekutimit varionte nga disa orë deri në një ditë pune, në varësi të momentit të nisjes së transferit. Sistemi i ri shkurton ndjeshëm kohën e përfitimit të fondeve të kredituara në llogaritë bankare.
Në një fazë të dytë, sistemi i instant payments synon të ofrojë alternativë për pagesat elektronike në pikat e shitjes. Banka e Shqipërisë po punon gjithashtu për një sistem të QR Code kombëtar: duke gjeneruar një QR Code dhe duke e skanuar me telefonët celularë, konsumatorët do të mund të kryejnë pagesa në njësitë e shitjes së produkteve apo shërbimeve. Qëllimi është krijimi i një sistemi me ndërveprim të lehtë, ku gjenerimi i QR Code të jetë i unifikuar dhe i centralizuar, në mënyrë që të mund të shfaqet në çdo aplikacion pavarësisht institucionit që e përdor. Pagesa do të kryhet me një skanim të thjeshtë brenda disa sekondash, dhe sistemi do të mundësojë verifikimin e pagesës për të shmangur pagesat e gabuara.
Komponentët e krijuar mbi sistemin e pagesave të menjëhershme synojnë përdorimin e tij sa më të gjerë në pikat e shitjes në formë të ngjashme me kartat. Aktualisht këto pagesa kryhen vetëm përmes kartave dhe terminaleve POS, të cilat kanë kosto relativisht të larta transaksioni, sidomos për pagesat me vlerë të vogël; për shkak të këtyre kostove, tregtarët shpesh vendosin një shumë minimale për përdorimin e kartës ose ia ngarkojnë komisionet blerësve. Pagesat me kartë gjithashtu nuk shkojnë në llogarinë e shitësit menjëherë, por kërkojnë disa ditë për finalizim, pasi procesohen nga skemat ndërkombëtare të pagesave me kartë.
Pagesat e çastit bazohen në transferimin direkt të fondeve nga llogaria e blerësit në llogarinë e shitësit dhe finalizohen pothuajse në kohë reale; për kryerjen e tyre blerësi zakonisht përdor telefonin e lidhur me llogarinë bankare dhe shërbimin e e-banking. Gjithashtu, kostot pritet të jenë shumë më të ulëta. Me ndryshimet rregullatorë të vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë ka përjashtuar nga komisionet transfertat kombëtare elektronike deri në vlerën e 40,000 lekëve.

