• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Monday, November 23, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Na duhet edhe policia e gjuhës

(Me rastin e ditës së shënuar të alfabetit shqip).

by Filip Çakuli
23/11/2026 08:21
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Filip Çakuli

Kemi polici për gjithçka. Vetëm shqipen e kemi lënë pa mbrojtje.

Shqipëria është vend i sigurt. Të paktën për sa u përket policive. Kemi Policinë e Shtetit. Kemi Policinë Kufitare. Kemi Policinë Bashkiake. Kemi polici rrugore, pyjore, ushtarake…

Secila ruan diçka. Njëra kufirin, tjetra trafikun, një tjetër pyllin. Vetëm një gjë ka mbetur pa roje: gjuha shqipe.

Prandaj ndoshta ka ardhur koha të krijojmë edhe Policinë e Gjuhës. Jo me pistoleta. Me fjalorë. Jo të ndalojë qytetarët në rrugë, por politikanët në televizor.

-Shqipja ka fjalën shumicë. Pesë mijë lekë gjobë.

-Pakicë. Edhe pesë mijë të tjera.

-Projekt, projektligj, variant, sipas rastit.

-Ngjarje, veprimtari, aktivitet.

-Kalo. Këtë ta kemi falur prej kohësh.

Sepse problemi nuk është që shqipja të mos marrë fjalë nga gjuhët e tjera. Të gjitha gjuhët marrin dhe japin. Problemi fillon kur fjala shqipe ekziston, është e qartë, e bukur dhe e kupton edhe gjyshja në fshat, por ne e hedhim tutje sepse fjala e huaj na duket më elegante.

Nuk zëvendësohen të gjitha fjalët e huaja. Disa fjalë turke kanë marrë kuptim keqësues. Për shembull, “surrat” do të thotë “fytyrë”, fjalë kjo me prejardhje nga latinishtja. Por “surrat” ka fituar një kuptim keqësues.
Natyrisht, ka përpjekje për zëvendësimin e fjalëve të huaja me fjalë shqipe. Por, jo rrallë, kalohet në emërtime pa kuptim. Si, bie fjala, në fjalorin e anatomisë, ku fjala e huaj “klavikul” është riemërtuar në shqip “parzmokularthorthimthak”.

“Shumicë” na duket provinciale. “Maxhorancë” na bën europianë. Thuaj “shumica parlamentare” dhe dukesh sikur po flet shqip.

Thuaj “maxhoranca parlamentare” dhe menjëherë fiton nja dy grada politike. Po the edhe “implementimi i prioriteteve në funksion të impaktit”, praktikisht je gati për ministër.

Kemi krijuar një shqipe të çuditshme publike, ku fjalia nuk ndërtohet më për t’u kuptuar, por për t’u dukur e rëndësishme.

Sa më pak të kuptojë qytetari, aq më serioz duket folësi.

Sidomos politika është kthyer në pikë doganore për importin e fjalëve.

Politikani nuk thotë më: “Do ta zbatojmë këtë masë dhe do të shohim ndikimin e saj.”

Kjo është tepër e thjeshtë. Rrezikon ta kuptojë populli. Ai thotë: “Do të implementojmë këtë paketë për të parë impaktin që do të gjenerojë.”

Tani po. Nuk kuptuam ndonjë gjë më shumë, por të paktën kuptuam se folësi ka studiuar jashtë. Ose ka kaluar dy javë në Bruksel.

Televizionet pastaj e përfundojnë punën. Moderatorët kanë “feedback”, gazetarët bëjnë “update”, të ftuarit flasin për “target”, partitë kanë “lidership”, bizneset bëjnë “performancë”, institucionet kanë “staf” dhe të gjithë bashkë presin një “event” për të bërë “networking”.

Shqipja rri në qoshe dhe pyet: Po unë pse erdha?

Dikur gjuhën shqipe e kërcënonte pushtuesi. Sot nuk ka nevojë. E bastardojmë vetë, vullnetarisht, madje duke menduar se kështu dukemi më të ditur.

Në varrezat e një fshati në Mirditë lexova një epitaf; Sarmonela Preng Dod Lleshi.

Pagëzuesit për t’u dukur bashkëkohor (modern) i vunë një emër tingëllues të huaj, po që është emri i një sëmundjeje. Besoj se edhe ndonjë djalë këto kohë ka marrë emrin Konvid.

Natyrisht kjo vjen nga injoranca dhe jo gabimisht. Siç ndodhi me indianët e Amerikës, që Kolombi mendoi se zbuloi Indinë. Ose kanguri i Australisë, që anglezët e parë i vunë emrin. Pasi pyetën indigjenët për këtë kafshë të panjohur, ata shqiptuan në gjuhën e tyre, “kanguru”, dmth, nuk kuptojmë. Dhe kështu i mbeti emri kafshës.

Te emrat tanë të huaj nuk ka gabime të tilla. Ato vihen qëllimisht, që të duken biçim evropianë, apo amerikanë.

Por kjo dukuri është temë më vete. Kësaj here do të merrem me fjalët e huaja që përdhosin shqipen. Dhe për këtë nuk ka asnjë kujdes, qoftë nga shoqeria, Akademia e Shkencave, aq më tepër nga shteti…

Prandaj Policia e Gjuhës do të kishte shumë punë.

Patrulla e parë duhet vendosur te hyrja e Kuvendit. E dyta te Kryeministria. E treta nëpër studio televizive.

Dhe një repart i ndërhyrjes së shpejtë duhet mbajtur gjithmonë pranë konferencave, sepse aty situata mund të dalë jashtë kontrollit brenda pak minutash.

Sigurisht, askush nuk duhet të burgoset për një fjalë të huaj.

Por ndonjëherë do të mjaftonte një bilbil.

-“Maxhoranca ka implementuar një strategji me impakt pozitiv…”

-Duart mbi tavolinë! Ngadalë dhe pa lëvizje të papritura!

-Tre fjalë të huaja kur i kishe shqip.

Dhe dënimi të ishte shembullor:

Një javë lexim i Fjalorit të Gjuhës Shqipe.

Për përsëritësit, dënimi të rëndohej:

Naim Frashëri, pa telefon në dorë.

Sepse kufijtë e Shqipërisë i ruan Policia Kufitare.

Rrugët i ruan Policia Rrugore.

Pyjet, të paktën në letër, i ruajnë strukturat përkatëse.

Po kufirin e shqipes kush e ruan?

Sepse po vazhduam kështu, një ditë nuk do të themi më se flasim shqip.

“Komunikojmë lokalisht në një format linguistik me bazë albaniane.”

Dhe atë ditë, Policia e Gjuhës do të ketë ardhur shumë vonë.

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Shkulën gjithçka, përveç Ramës

Na duhet edhe policia e gjuhës

November 23, 2026
Demokratët arrijnë shumicë historike në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA, më e larta që nga 1992

Demokratët arrijnë shumicë historike në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA, më e larta që nga 1992

November 23, 2026
Moti sot i paqëndrueshëm, reshje shiu dhe shtrëngata në pjesën më të madhe të vendit

Moti sot i paqëndrueshëm, reshje shiu dhe shtrëngata në pjesën më të madhe të vendit

November 23, 2026
Aksident fatal në Itali, humb jetën 31-vjeçarja shqiptare, tre fëmijë të plagosur

Aksident fatal në Itali, humb jetën 31-vjeçarja shqiptare, tre fëmijë të plagosur

November 22, 2026
Plot 58 laureatë të Çmimit Nobel bashkohen për t’i shpëtuar jetën kampionit iranian

Plot 58 laureatë të Çmimit Nobel bashkohen për t’i shpëtuar jetën kampionit iranian

November 22, 2026
Jo vetëm dhunë, video-loja ‘GTA VI’ e mbushur me nuditet, drogë, orgji dhe striptizëm

Jo vetëm dhunë, video-loja ‘GTA VI’ e mbushur me nuditet, drogë, orgji dhe striptizëm

November 22, 2026
Manastir, Rama me të rinjtë: Shqipja është pasuria jonë e përbashkët, duhet ta mbrojmë dhe ta trashëgojmë

Manastir, Rama me të rinjtë: Shqipja është pasuria jonë e përbashkët, duhet ta mbrojmë dhe ta trashëgojmë

November 22, 2026
Djali i Millorad Dodikut mandatohet për formimin e Qeverisë së re të Republikës Sërpska

Djali i Millorad Dodikut mandatohet për formimin e Qeverisë së re të Republikës Sërpska

November 22, 2026
Tetë net humori në Shkodër. “Tano Fest” te “Migjeni”, mes yjeve të skenës teatrale

Tetë net humori në Shkodër. “Tano Fest” te “Migjeni”, mes yjeve të skenës teatrale

November 22, 2026
Ulet tatimi mbi pagën, por a do të përfitojnë punonjësit?

Ulet tatimi mbi pagën, por a do të përfitojnë punonjësit?

November 22, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In