Një koncert i reperit amerikan Don Toliver në Mançester është ndërprerë dhe salla është evakuuar pas lëshimit të një substance të panjohur në turmë, e cila shkaktoi shqetësime shëndetësore te dhjetëra persona. Incidenti ndodhi në Co-op Live Arena, ku ndodheshin rreth 12 mijë spektatorë.

Policia e Mançesterit të Madh shpalli gjendjen e emergjencës pak pas orës 22:00 të së dielës, pas raportimeve se disa persona kishin filluar të ndiheshin keq. Substanca fillimisht u dyshua se mund të ishte gaz lotsjellës, por shkaku i incidentit mbetet ende i paqartë.

Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë momentet e panikut, teksa njerëzit vrapojnë drejt daljeve, kolliten dhe mbulojnë fytyrat, duke u përpjekur të largohen nga salla.

Në një njoftim të publikuar pas orës 02:00 të mëngjesit të së hënës, autoritetet konfirmuan se evakuimi ishte përfunduar me sukses. Disa persona morën ndihmë mjekësore në vendngjarje, ndërsa një prej tyre u transportua me urgjencë në spital.

Shërbimi i Ambulancës së Anglisë Veriperëndimore bëri me dije se më shumë se 50 persona u trajtuan për simptoma që prekën sytë dhe sistemin e frymëmarrjes.

Ndërkohë, drejtuesit e Co-op Live Arena deklaruan se po bashkëpunojnë me policinë për të zbardhur shkaqet e incidentit dhe për të përcaktuar se çfarë substance u lëshua në turmë.

Koncerti ishte pjesë e turneut “Nitrous” të Don Toliver. Reperi amerikan pritet të performojë këtë të hënë në O2 Arena të Londrës dhe të martën në OVO Arena Wembley.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb