Kryeministri kanadez Mark Carney ka zgjedhur humorin për të ironizuar presidentin amerikan Donald Trump, duke surprizuar të pranishmit në një darkë zyrtare në Ottawa me një imitues që riprodhoi gjestet, lëvizjet dhe mënyrën karakteristike të të folurit të kreut të Shtëpisë së Bardhë.

Skena u zhvillua të shtunën, gjatë darkës vjetore të Klubit Parlamentar të Shtypit në Kanada, ku Carney mbajti një fjalim satirik përpara gazetarëve dhe figurave politike. Sozia e Trumpit u shfaq në skenë duke nisur imitimin me shprehjen e njohur “Lajme të rreme”, përpara se të vijonte me batuta për marrëdhënien mes dy liderëve.

Në një moment, imituesi ironizoi edhe mënyrën se si Trump i drejtohet Carney-t, duke përmendur pretendimin e presidentit amerikan se Kanadaja duhet të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së. “Do të bëjmë një marrëveshje të jashtëzakonshme. Ka vetëm një pengesë: unë, sepse jam i çmendur”, ishte një prej batutave që shkaktoi të qeshura në sallë.

Vetë Carney nuk i kurseu thumbimet ndaj homologut amerikan. “Ky është një publik i vështirë. Dhe unë kam qenë në Zyrën Ovale. Vetëm. Me dizajnerin e ri të brendshëm”, deklaroi ai, duke iu referuar ndryshimeve të bëra nga Trump në ambientet e Shtëpisë së Bardhë.

Skeçi vjen në një periudhë marrëdhëniesh të tensionuara mes Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara, veçanërisht për shkak të politikës së tarifave tregtare të administratës Trump dhe deklaratave të tij për aneksimin e mundshëm të Kanadasë. Carney është shfaqur gjithnjë e më kritik ndaj politikave të presidentit amerikan, duke u pozicionuar si një nga zërat më të fortë kundërshtues ndaj qëndrimeve të tij në arenën ndërkombëtare.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: