Një anije ushtarake ruse është goditur sot në brigjet e Libisë, pranë portit të Bengazit, nga një dron ujor që autoritetet libiane thanë se ishte lëshuar nga forcat ukrainase.
Sulmi ka dëmtuar rëndë “Merkury”-n, anijen luftarake të marinës ruse dhe ka shkaktuar një zjarr në bazën detare.
Sipas hetimeve paraprake, disa dronë detarë ukrainas u lëshuan drejt anijes nga një bazë e kontrolluar prej forcave ukrainase në Libinë perëndimore.
Zyrtarët i thanë agjencisë “Associated Press” se të paktën katër dronë u kapën dhe u shkatërruan, ndërsa dy të tjerë goditën anijen luftarake. Por sipas disa raportimeve të mediave të huaja, thuhet se droni është lëshuar nga brigjet e Shqipërisë.
Pas raportimeve se droni është lëshuar nga brigjet e Shqipërisë ka reaguar edhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke i hedhur poshtë kategorikisht këto pretendime, duke i cilësuar si të pasakta dhe të pambështetura në prova.
MEPJ thekson se Shqipëria nuk ka pasur asnjë përfshirje në incident dhe se territori shqiptar nuk është përdorur apo vënë në dispozicion për nisjen ose lehtësimin e një sulmi të tillë.
Ministria u ka bërë thirrje mediave dhe të gjithë atyre që kanë përhapur këto raportime të korrigjojnë informacionin, duke kërkuar më shumë kujdes dhe përgjegjshmëri në trajtimin e çështjeve me ndjeshmëri të lartë.
Reagim i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme:
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka marrë dijeni për raportimet sipas të cilave sulmi me dron detar kundër një korvete ruse e ka pasur origjinën nga territori shqiptar. Raportimet në fjalë janë të pasakta dhe nuk pasqyrojnë faktet. Shqipëria nuk ka qenë e përfshirë në këtë incident dhe territori i saj nuk është përdorur, e as nuk është vënë në dispozicion, për nisjen apo lehtësimin e një sulmi të tillë.
I hedhim poshtë kategorikisht këto pretendime, të cilat janë paraqitur pa prova të verifikueshme. U bëjmë thirrje atyre që janë përgjegjës për përhapjen e tyre që të korrigjojnë informacionin, si dhe të tregojnë saktësi, kujdes të duhur dhe përgjegjshmëri kur raportojnë për çështje të një ndjeshmërie të tillë.












